Metaj: Zjarrvëniet e qëllimshme po e rëndojnë situatën
Drejtori i Agjencisë së Emergjencave, Genc Metaj, tha se kapacitetet që i ka Kosova janë të mjaftueshme për menaxhimin e situatave emergjente. Megjithatë, ai theksoi se në raste të jashtëzakonshme, kur shpërndahen zjarre në numër të madh, sidomos ato të shkaktuara me qëllim, autoritetet përballen me vështirësi serioze. “Rreziku potencial për përhapjen e vatrave…

Lajme
Drejtori i Agjencisë së Emergjencave, Genc Metaj, tha se kapacitetet që i ka Kosova janë të mjaftueshme për menaxhimin e situatave emergjente.
Megjithatë, ai theksoi se në raste të jashtëzakonshme, kur shpërndahen zjarre në numër të madh, sidomos ato të shkaktuara me qëllim, autoritetet përballen me vështirësi serioze.
“Rreziku potencial për përhapjen e vatrave të mëdha është shumë i lartë për shkak të temperaturave të larta dhe pranisë së materialit të thatë dhe lehtësisht të djegshëm. Por, nuk janë vetëm temperaturat të vetmet shkaktarë, një pjesë e konsiderueshme e zjarreve vijnë si pasojë e zjarrvënieve të qëllimshme, shpesh për arsye të zhvillimit të ndonjë veprimtarie biznesore, apo edhe nga bujq që djegin arat për t’i punuar më lehtë,” deklaroi Metaj për RTK.
Ai bëri të ditur se gjatë javës së dytë të gushtit, Kosova ka regjistruar mesatarisht 90 vatra zjarri në ditë, ndërsa javën që lamë pas, rreth 60 vatra në ditë. “Kemi pasur zjarre shumë të rënda në disa fshatra afër qyteteve, por edhe në zona malore, ku përhapja e flakëve ka qenë e shpejtë, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë djegien e shtëpive,” theksoi ai.
Metaj tha se po bëhet gjithçka që është e mundur për menaxhimin e situatës, por bëri apel për vetëdijesim të qytetarëve.
“Do të dalim me masa parandaluese dhe me rekomandime konkrete, sepse zjarrfikësit po përballen me vështirësi të mëdha. Aktualisht, në tërë Kosovën janë rreth 800 zjarrfikës aktivë, mirëpo ata duhet të ndërrohen dhe ka komuna që kanë kapacitete shumë më të vogla,” përfundoi drejtori Metaj.