Messi kundër Neymarit
Lionel Messi dhe Neymar ndajnë pozitën e parë të golashënuesve më të mirë në Kampionatin botëror. Dy bashkëlojtarët nga Barcelona janë duke zhvilluar një betejë në distancë.

Sport
Lionel Messi dhe Neymar kryesojnë në renditjen e golashënuesve më të mirë në Kampionatin botëror me nga katër gola në tri ndeshje.
Kapiteni i Argjentinës dhe sulmuesi i Brazilit kanë shkëlqyer deri më tani gjatë këtij Botërori, dhe janë duke zhvilluar një betejë në distancë për Këpucën e Artë të garës më të rëndësishme ndërkombëtare.
Mirëpo, nëse ata vazhdojnë me këtë ritëm të përbashkët të golave, atëherë mund të ndodh që fituesi të përcaktohet në finalen e madhe në Maracana, ku Brazili dhe Argjentina mund të ndeshen nëse kalojnë pengesat përkatëse deri në aktin përfundimtar të garës.
Messi dhe Neymar janë shokë nga Barcelona dhe të dy kanë pranuar se do të dëshironin që të takoheshin në finale të Botërorit.