Mësohet arsyeja pse Interi luajti pa sponsor në fanella ndaj Milanit
Interi ka luajtur pa sponsorin kryesor të fanellës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit, pasi ka pezulluar marrëveshjen me DigitalBits në fund të prillit. Si Interi ashtu edhe Roma kanë pezulluar së fundmi marrëveshjen e tyre me kompaninë blockchain që nuk arriti të paguante asnjë nga këstet për sezonin 2022-23,…
Sport
Interi ka luajtur pa sponsorin kryesor të fanellës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit, pasi ka pezulluar marrëveshjen me DigitalBits në fund të prillit.
Si Interi ashtu edhe Roma kanë pezulluar së fundmi marrëveshjen e tyre me kompaninë blockchain që nuk arriti të paguante asnjë nga këstet për sezonin 2022-23, njoftojnë mediat italiane, transmeton lajmi.net.
Kësti i parë prej 8 milionë euro do të paguhej në qershor 2022, i dyti në tetor dhe pagesa përfundimtare në shkurt 2023.
“DigitalBits nuk ka paguar tarifën bazë prej 24 milionë euro, përveçse nuk ka paguar bonuse deri më tani për një shumë totale prej 1.2 milionë euro”, njoftoi Interi në fund të muajit shkurt.
Megjithatë, vendimi për të pezulluar marrëveshjen dhe për të hequr sponsorin nga fanellat e ekipit të parë u mor disa muaj më vonë.
Hera e parë që “Nerazzurrët” luajtën pa një sponsor të fanellës kryesore ishte në një ndeshje në shtëpi të Serisë A kundër Lazios më 30 prill.
DigitalBits kishte lëshuar një deklaratë për shtyp një ditë më parë, më 29 prill, duke iu përgjigjur pas pezullimit të partneritetit të tyre me Interin dhe Romën.
“Fondacioni Digitalbits ka ndërmarrë një proces proaktiv për ripërcaktimin e partneriteteve që do të përfshijnë markën Digitalbits në të ardhmen, në përputhje me objektivat e qëndrueshmërisë ekonomike dhe përdorimit të teknologjisë blockchain”.
“Kontratat e sponsorizimit në lidhje me ekspozimin e markës Digitalbits me ekipet e futbollit Roma dhe Inter janë lidhur me laboratorët Zytara. Fondacioni Digitalbits përfaqëson komunitetin dhe ekosistemin që synojnë promovimin e teknologjisë blockchain dhe përdorimin e saj”./Lajmi.net/