Mësimet e nëntorit të vitit 1988-të
Rrëfimi i Dubait duhet të shërbej si këmbanë e zgjimit për politikën kosovare, që më në fund të këndellet dhe të organizohet për fazën finale të bisedimeve në Bruksel.
Opinion
Këto ditë janë bërë tridhjetë vjet nga protestat e mëdha të shqiptarëve të Kosovës, në nëntorin e vitit 1988-të.
Si asnjëherë më parë (dhe më pas), mbi gjysmë milioni shqiptarë nga të katër anët e Kosovës, për pesë ditë rresht ecën këmbë për në Prishtinë, për ta dhënë një të vetmën porosi për udhëheqësinë e atëhershme të Serbisë dhe Jugosllavisë: Për Kosovë pyetemi ne.
Nëse ndonjëherë do të shkruhet një histori e baraspeshuar, objektive, e sakt, për rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës kah çlirimi dhe krijimi i shtetit, nëntori i vitit 1988, do të duhej gjithsesi të veçohet dhe të vlerësohet si ngjarja që shqiptarët e Kosovës i bëri popull të mirëfilltë politik, i cili synon ta merr fatin e tij në duartë e veta.
Natyrisht, shqiptarët këndejpari kanë pasë organizime të ndryshme politike dhe ushtarake, legale dhe ilegale, që prej se u krijua shteti i Shqipërisë pa Kosovë, në vitin 1912-të. Por, të gjitha këto organizime, kanë njohur qindra dhe mijëra pjesëmarrës, jo më shumë. Para tridhjetë viteve, u mor vesh, këtu dhe kudo tjetër, që bëhet fjalë për gjithë një popull, të cilin nuk ka kush ta ndalë në sendërtimin e të drejtës për të qenë zot i vetëvetes.
Lëvizja për pavarësi e cila doli në skenë një vit më pas, me krijimin e partive politike shqiptare, me orientim të qartë pro-perëndimor dhe pro-demokratik, me te dy krahët e saj, politik dhe ushtarak, ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj ngjarjeje madhore të nëntorit të atij viti.
Populli shqiptar në Kosovë, në fakt ‘deklaroi’, në këto protesta paqësore, më masivet në ato vitet e fundit të ish-Jugosllavisë, që është gati për ta ndryshuar historinë e vet. Duhej krijuar udhëheqësinë. Dhe ajo doli në sipërfaqe, në dhjetorin e vitit 1989-të.
Pakkush ndër ne mirret këto ditë me shënimin e përvjetorit të kësaj ngjarjeje madhore të shqiptarëve të Kosovës. Mbase, për shkak që prapa saj qëndron ai ‘autori anonim’, apo, ai shqiptari anonim i Kosovës, i cili do të bëhet protagonist shumë i rëndësishëm i të gjitha zhvillimeve të mëpasme. Arsye tjetër është që kjo politika jonë kosovare, është e zënë me dhjetëra prioritete të tjera, të cilat në masë të madhe nisin dhe sosin me përplasjet e brendshme politike. Dihet tashmë që askush ndër ne, në politikë, nuk mund të tubojë vet as një të dhjetën e kësaj mase gjysmëmilionshi, shesheve të Prishtinës.
Sidoqoftë, ky përvjetor me të cilin nuk u mor kush në institucionet e vendit, koncidoi me një ngjarje të hidhur në Dubai, kur Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret e mundshme për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare. Kur bëhet fjalë për përmbushjen e kritereve, dihet që ne kemi bërë të njëjtën punë kur flitet për 95 kushtet/ kriteret e BE-së për ta fituar të drejtën për të udhëtuar lirshëm në BE. Dhe as këtu, nuk ka kurrfarë garancash që njëmend do të kemi një vendim pozitiv për qytetarët e Kosovës.
Rrëfimi i Interpolit për ne të gjithë, tashmë është i njohur.
Në Beograd, prijësit e Serbisë, shpallën një fitore të madhe, në një fushëbetejë politike dhe diplomatike, e cila në mënyrën se si u bë nga ana e autoriteteve më të larta të këtij shteti, nuk ka si t’i shmanget konkludimeve për një relacion të armiqësisë së haptë publike me Kosovën. Me këtë qasje publike, me një politikë të kësisojt, nuk është aspak e qartë se si mund të mbërrihet, dhe atë vetëm brenda pak muajsh, tek Marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në raportet e tanishme në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka gjë normale.
Në Prishtinë, lajmi i keq nga Dubai u bë një tjerër ‘kartë me vlerë’ në dy-luftimet e shumta të brendshme politike, të cilat janë burimi kryesor i zhvlerësimit të kësaj politike, të këtij vendi dhe të këtij shteti.
Rrëfimi i Dubait do të duhej të shërbente si një këmbanë e zgjimit për politikën kosovare, që më në fund të këndellet, të organizohet dhe të përgatitet për fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.
Vetëm kështu mund t’ia tregojmë vendin udhëheqësisë së sotme të Serbisë.
Ky do të duhej të ishte prioritet i të gjithë neve.
Ashtu siç ishte zatën tridhjetë vjet më parë.
(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)