Mesazhi i Papës para vizitës në Tiranë

Papa Françesku ka dhënë një deklaratë para vizitës që pritet t’i bëjë Shqipërisë të dielën. Në mesazhin e tij, Papa ka thënë se do ta vizitojë Shqipërinë, vend ky që ka vuajtur me dekada nga regjimi ateist i Enver Hoxhës. 

Lajme

17/09/2014 14:23

Katër ditë para se të vizitojë Shqipërinë, Papa Françesku i është drejtuar sot me një mesazh besimtarëve katolik dhe popullit shqiptar.

Ai ka thënë se arsyeja e vizitës është vuajtja e popullit të këtij shteti me vite nga besimi ateist dhe bashkëjetesa në mes të pjesëtarëve të feve të ndryshme.

“Të dielën me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitojë këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes me dashuri popullin shqiptar. E falënderoj për përgatitjen e vizitës sime”, u shpreh Papa.

Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë ditën e diel me 21 shtator. Ai do të pritet nga kryeministri Rama dhe përfaqësues të kishës katolike. Në orën 11:00 Papa i Vatikanit do të mbajë meshën në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.