Mesazhet që Thaçi ua çoi Haradinajt, Berishës dhe Kurtit sot nga Tirana

Në Samitin e Diasporës në Tiranë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur për procesin e dialogut me Serbinë.

Lajme

01/03/2019 12:47

Para diasporës shqiptare, Thaçi veç tjerash ka thënë se ‘territori i Kosovës mund të preket vetëm duke shkelur mbi trupin e tij”.

“Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk do të mund ta prekë asnjë milimetër të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaci.

Ai ka thënë se Kosova, është e përkushtuar që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që nënkupton me njohje reciproke

“Jemi në një moment të ri, të volitshëm, kur Kosova me mbështetjen e plotë të SHBA’së, udhëheqjen e BE’së, po angazhohet për një arritje gjithpërfshirëse me Serbinë.

Synimi jonë është të arrihet një marrëveshje gjithpërfshirëse që do të garanton njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë ai, shkruan Periskopi.

Ndërkohë, Thaçi ka hedhur poshtë idetë e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën si dhe idenë e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për një Union Ballkanik.

“Sot, natyrisht se ka ide të ndryshme. Por nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë organizimin e ndonjë Konference Ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Kosova do të angazhohet në një process ku aty është BE dhe SHBA. Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim, nuk do të lejojmë as të qarkullojë më tutje si ide, megjithëse jam dashamirës i ideve, do të ndalojmë që në start ndonjë Union Ballkanik.  Ideja për një Union Ballkanik, është rikthim prapa për kombin tonë. Unioni jonë është BE dhe miqësia me SHBA. Propozuesit për Konferencë Ndërkombëtare e kemi këshilluar të heq dorë dhe ka hequr dorë. Edhe propozuesit të Unionit Ballkanik, i kemi thënë të heq dorë dhe ka heq dorë”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, duke thënë se një gjë e tillë, nuk do të ndodhë kurrë.

“Shkëmbimi i territoreve, keni dëgjuar shumë gjatë verës, kurrë nuk do të ndodh. Për shkëmbim territoresh kanë folur edhe më herët. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe nuk do të lejohet askush të bëj pazar”, ka thënë Thaçi.

Më pas, ai ka kritikuar edhe ‘ekzagjerimet’ që po bën ish-kryeministri Sali Berisha, lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.

“Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të temave të tilla, ata që flasin sot, janë ata që kanë bashkëpunuar me Millosheviqin, janë miq të Radojciqin”, ka thënë ai.

Mirëpo, Thaçi tha se ‘nuk mund t’ia mohojë askush idenë që Lugina të bëhet pjesë e Kosovës, pa u prekur territori i vendit”

“Në anën tjetër, korrigjimi i kufijve, po, sepse nuk ka asnjë person në botë që ma ndalon realizimin e andrrës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për bashkimin me Kosovës, pa u cënuar territori i Kosovës. Ne jemi tani në një status quo, duhet së bashku me BE’në, SHBA dhe NATO të lëvizimin përpara. Duhet të garantojmë edhe njohjen nga pesë vendet e BE’së Duhet të punojmë së bashku që të punojmë në një ombrellë euro – atlantike”, tha ai.

Sërish tha disa fjalë për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke aluduar në refuzimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, si një kërkesë ekskluzive e SHBA’së, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut.

“Nuk do të lejojmë, në asnjë rrethanë e asnjë çmim, që asnjë broçkull e politikës ditore të cenojë raportet tona me hisedarin e lirisë së Kosovës, SHBA’në”, ka thënë ai.

Në fillim të fjalës së tij, presidenti Thaçi ka falënderuar diasporën për kontributin e saj, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës, është product i drejtpërdrejtë i juaji, ju keni ndarë kafshatën e gojës për UÇK’në. Sot kombi shqiptar ka nevojë që vetëm të fuqizohet roli i Shqipërisë, të fuqizohen këto reforma që po ndodhin. Gjithë kombit tonë, i duhet një Shqipëri e fortë, që kërkon përpara.  Këtë e duan edhe miqtë tonë, edhe SHBA, BE edhe NATO”, tha ai.