Memli Krasniqi nga Mitrovica: Ky është qyteti që nuk thyhet, nuk frikësohet e nuk blihet
Në mbyllje të fushatës për balotazhin e nesërm, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbajtur një tubim në Mitrovicë, ku ka shprehur bindjen për fitoren e kandidatit të partisë për kryetar të komunës, Arian Tahiri. Në një atmosferë që ai e përshkroi si “të jashtëzakonshme”, Krasniqi tha se mijëra qytetarë të…
Lajme
Në mbyllje të fushatës për balotazhin e nesërm, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbajtur një tubim në Mitrovicë, ku ka shprehur bindjen për fitoren e kandidatit të partisë për kryetar të komunës, Arian Tahiri.
Në një atmosferë që ai e përshkroi si “të jashtëzakonshme”, Krasniqi tha se mijëra qytetarë të Mitrovicës janë të bashkuar për ndryshim dhe për fitoren e Tahirit, transmeton lajmi.net.
“Nesër, mijëra qytetarë të Mitrovicës, të udhëhequr nga një frymë e fortë bashkimi, besimi dhe shprese, do të dalin për të votuar Arian Tahirin si kryetarin e tyre të ardhshëm,” shkroi ai në rrjete sociale.
Krasniqi theksoi se Mitrovica është qyteti i krenarisë, i punës dhe i dinjitetit, duke përmendur figurat historike e politike që, sipas tij, përfaqësojnë shpirtin e qytetit:
“Ky është qyteti i Isa Boletinit e i Mehë Ukës, i Kadri Veselit e i Bedri Hamzës, dhe tash, qyteti që do t’i japë besimin e vet njërit prej djemve të saj më të mirë: Arian Tahirit.”
Kreu i PDK-së falënderoi qytetarët dhe aktivistët për angazhimin gjatë fushatës, si dhe ata që në raundin e parë kanë votuar subjekte të tjera, por që tani janë bashkuar për fitoren e kandidatit të PDK-së.
“Faleminderit nga zemra për këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, Mitrovicë!” – përfundoi Krasniqi./lajmi.net/