Memli dyshon për koalicion të fshehtë VV-LDK

Memli Krasniqi i PDK’së mendon se LDK dhe Vetëvendosje kanë një koalicion të pashpallur, të heshtur, mes vete, në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Çfarë e bëri që të dyshojë kështu?

Lajme

22/01/2014 17:21

Këshilltari i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Memli Krasniqi, thotë se sot me veprimet e tyre në mbledhjen e parë të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dëshmuar se kanë një koalicion të heshtur.

Në një deklaratë për lajmi.net, Krasniqi tha se sot në mbledhjen e Asamblesë Komunale, përzgjedhja e anëtarëve për Komitetin për Politikë dhe Financa është bërë në mënyrë të paligjshme, sepse, sipas tij, nuk ka pasur bazë ligjore.

“Ajo që është ndoshta befasia e ditës është fakti që sot u dëshmua që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë deklaruar, por e kanë një koalicion të fshehtë dhe funksional, i cili është në interes të këtyre dy partive, por aspak në interes të qytetarëve të Prishtinës.”

“Por, ajo që sot ka qenë jashtë procedurave dhe që ka ndodhur në mënyrë krejt arbitrare dhe pa asnjë bazë ligjore në punimet e Kuvendit Komunal, ka qenë procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa, i cili është komiteti më i rëndësishëm në Komunë”.

“Ne konsiderojmë që pikërisht mënyrën se si është proceduar me vendime arbitrare dhe pa bazë ligjore, në mes të tjerash ka dëshmuar që puna në këtë mandat në Kuvendin Komunal ka filluar mbrapsht dhe pa respektim të ligjeve”.

Pikërisht, këto veprime “arbitrare” për Krasniqin janë dëshmi se LDK dhe Vetëvendosje kanë lidhur një koalicion të fshehtë në mes tyre.

Sipas tij, ky koalicion është për interesa të ngushta personale dhe jo në interes të qytetarit të Prishtinës.

“Mendoj që veprimet arbitrare dhe pa bazë ligjore që janë ndërmarrë sot, në punimet e mbledhjes së Asamblesë, dëshmojnë qartë se LDK dhe Vetëvendosje kanë një koalicion të pashpallur, por një koalicion funksional i cili, siç thash, në qendër të tij ka interesin personal të individëve apo dhe të këtyre dy grupacioneve politike por në asnjë rast nuk e ka interesin e qytetarit”.

“Ky koalicion i fshehtë i prish punë qytetarëve të Prishtinës sepse e para e punës një koalicion i tillë, përveç që është joparimor në kuptimin që këto dy parti vazhdimisht i kanë akuzuar për çështje të ndryshme njëra-tjetrën, vazhdimisht janë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, vazhdimisht kanë deklaruar që nuk do të hyjnë në koalicion”.

“Sot është dëshmuar që në fakt, kur vjen puna tek interesat e tyre shumë të ngushta, i harrojnë ato deklarata që i kanë thënë, e harrojnë interesin e qytetarëve dhe merren vesh që si është më së miri, duke shkuar aq larg sa edhe të marrin vendime pa bazë ligjore dhe të marrin vendime arbitrare, duke e keqpërdorur shumicën që e kanë bashkërisht”.

Ndërkaq, për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Halim Halimi nga LDK, Memli Krasniqi nuk ka ndonjë vërejtje. Ai thotë se ky ka qenë vullneti i asambleistëve të Prishtinës.

“Ka qenë një garë në mes të tre kandidatëve dhe realisht ka qenë rezultati sipas vullnetit të asambleistëve. Është vendim që është konform rregullave të parapara kështu që sa i përket kësaj pike, në kuptimin procedural nuk kemi ndonjë shqetësim”.

Memli Krasniqi thotë se grupi i këshilltarëve të PDK’së do të ketë një rol konstruktiv, do jetë një opozitë aktive, që të pengojë veprime të paligjshme dhe të mbrojë interesin e prishtinasve.

“Grupi i këshilltarëve të PDK’së do të luaj rol shumë konstruktiv, si një opozitë aktive e cila gjithmonë do ta ketë parasysh para se gjithash interesin e të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm të atyre që na kanë votuar”.

“Ne do të përpiqemi në çdo hap që të pengojmë vendime të tilla arbitrare dhe të paligjshme siç u morën vendime sot nga ky koalicion i heshtur i Vetëvendosjes dhe i LDK’së”, tha Memli Krasniqi për lajmi.net.