Meliza Haradinaj: Serbia është porta e Iranit drejt Evropës
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka ngritur alarmin për marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta midis Serbisë dhe Iranit, duke e quajtur Serbinë “portën strategjike të Iranit drejt Evropës” dhe një “shkelje serioze në zemër të Ballkanit Perëndimor”. Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Haradinaj-Stublla thekson se, ndryshe…

Lajme
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka ngritur alarmin për marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta midis Serbisë dhe Iranit, duke e quajtur Serbinë “portën strategjike të Iranit drejt Evropës” dhe një “shkelje serioze në zemër të Ballkanit Perëndimor”.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Haradinaj-Stublla thekson se, ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës që e sheh Iranin si një shtet problematik me synime për armatim bërthamor, Serbia e konsideron Iranin si “shtet mik”.
Sipas saj, kjo lidhje strategjike midis Beogradit dhe Teheranit po thellohet në disa fusha, përfshirë ekonominë, teknologjinë, dhe madje edhe industrinë e mbrojtjes.
Ajo rendit disa momente kyçe të bashkëpunimit dypalësh:
Korrik 2022: Forum ekonomik me mbi 80 biznesmenë iranianë dhe serbë në Beograd.
Tetor 2022: Marrëveshje për linja ajrore të rregullta mes dy vendeve.
Shtator 2023: Irani ekspozon për herë të parë armatim të rëndë në panairin ushtarak “Partner 2023” në Beograd; Serbia raportohet të ketë blerë 1,000 dronë kamikazë iranianë.
Shkurt 2024: Irani liberalizon vizat për qytetarët serbë.
Shtator 2024: Ministrat e jashtëm të dy vendeve konfirmojnë përkushtimin për marrëdhënie të forta bilaterale.
Janar 2025: Nis aktivitetin në Beograd Shoqata e Miqve të Iranit.
Shkurt 2025: Memorandum bashkëpunimi në fushën e teknologjisë dhe komunikimit ndërmjet ministrive përkatëse.
Haradinaj-Stublla e sheh këtë afrim si një kërcënim për sigurinë dhe interesat perëndimore në rajon, në një kohë kur shumica e vendeve të NATO-s dhe BE-së janë në përballje të drejtpërdrejtë me regjimin iranian për shkak të programit të tij bërthamor dhe aktiviteteve destabilizuese globale.