Mehaj falënderon gjeneralin Wesley Clark: Mik i kombit dhe njeri i së vërtetës
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka shprehur mirënjohje të thellë për gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, pas dëshmisë së tij sot në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai e cilësoi Clarkun si “mik të kombit, njeri të së vërtetës dhe gjeneral të së drejtës”, duke theksuar se mbështetja e tij ka qenë…
Lajme
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka shprehur mirënjohje të thellë për gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark, pas dëshmisë së tij sot në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai e cilësoi Clarkun si “mik të kombit, njeri të së vërtetës dhe gjeneral të së drejtës”, duke theksuar se mbështetja e tij ka qenë vendimtare për Kosovën nëpër dekada.
“Zoti të bekoftë ty dhe Amerikën, sepse gjithmonë flisni, veproni dhe tregoni të vërtetën,” u shpreh Armend Mehaj, duke rikujtuar rolin e SHBA-së dhe të NATO-s në çlirimin e vendit.
Ai shtoi se Kosova sot është “më e përgatitur, më partnere dhe më e vendosur në rrugën e saj”, ndërsa vlerësoi lart fjalët dhe dëshminë e sotme të gjeneralit në pension, Clark në procesin gjyqësor.
Duke komentuar zhvillimet në rajon, Mehaj tha se “Serbia dhe liderët e saj, siç e ka parë edhe vetë Clark, kanë probleme me vetveten dhe me rajonin përreth”, por theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në aleancën me SHBA-në dhe NATO-n.
“Miqësia ynë dhe aleanca me SHBA-në dhe NATO-n mbeten forca jonë më e madhe”, deklaroi ai.
Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçit gjatë dëshmisë së tij sot në Hagë tha se nuk ka dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Gjenerali i pensionuar amerikan, përveç përgjigjeve që dha për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, po sot përgjigje iu dha edhe pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai tha se nuk dinte shumë për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndonëse kishte parë emrat e tyre, megjithatë nuk i dinte as përgjegjësitë që ata kishin.