Mefi në “valle” të propagandës së portaleve “fake” që e përkrahin VV-në, e keqpërdorë një intervistë të Artan Behramit

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, “sulmeve të koordinuara” që po vijnë nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mediat afër saj. Ai e ka cilësuar deputetin e VV-së, Mefail Bajqinovci, si përhapës të propagandës së qëllimshme, duke përdorur materiale të shkëputura nga konteksti për ta sulmuar personalisht. Behrami…

Lajme

25/09/2025 18:11

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, “sulmeve të koordinuara” që po vijnë nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mediat afër saj. Ai e ka cilësuar deputetin e VV-së, Mefail Bajqinovci, si përhapës të propagandës së qëllimshme, duke përdorur materiale të shkëputura nga konteksti për ta sulmuar personalisht.

Behrami tha se prej katër ditësh po bëhet cak i sulmeve që vijnë nga “Kino Studio LVV”, ndërsa nënvizoi se gjithçka nisi me një video të publikuar nga një portal që ai e quan “fabrikë të lajmeve të rrejshme” – SpecBuk, e cila më pas u hoq nga platformat e verifikimit të lajmeve, transmeton lajmi.net.

“Në mungesë të argumenteve, në mungesë të fakteve kundër meje, këta po përpiqen të më bëjnë gjyqin publik përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve të ulëta,” shkroi Behrami në një postim në Facebook.

Ai iu referua një interviste të dhënë në qershor të vitit 2023, ku kishte folur për situatën në veri para sulmit të Banjskës, duke theksuar se në atë kohë strukturat paralele serbe ende ishin funksionale.

“Videoja për të cilën flasin është dhënë më 16 qershor 2023, kur ende kishte gjyqtarë e policë serbë që paguheshin nga Serbia dhe funksiononin me ligjet e saj. Në atë intervistë, unë flas për të kaluarën, për periudhën kur ata kishin punuar me simbolika të shtetit të Kosovës. Keqpërdorimi i asaj interviste për të më goditur sot është manipulim i pastër,” theksoi ai.

Behrami nuk kurseu as kritikat për deputetin Mefail Bajqinovci, duke e akuzuar se është bërë zëdhënës i shpifjeve politike.

“Mefi, për fat të keq, nuk merret me problemet reale të qytetarëve, por me prodhimin dhe përtypjen e propagandës. Kjo nuk është as rastësore, as naive. Është përpjekje e organizuar për të më etiketuar dhe për të nxitur kërcënime ndaj meje,” shtoi ai.

Në fund, deputeti i PDK-së u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e propagandës politike që, sipas tij, ka për qëllim shmangien e vëmendjes nga dështimet e qeverisjes./lajmi.net/