Mediat bojkotojnë Vetëvendosjen
Në një aktivitet të Vetëvendosjes në Kino ABC në Prishtinë u krijua një mosmarrëveshje ndërmjet ruajtësve të rendit në sallë dhe mediave. Mediat bojkotuan ngjarjen, e pastaj VV shprehu keqardhje.
Lajme
Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët e pranishëm në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Kino ABC, në Prishtinë, kanë bojkotuar këtë ngjarje – për shkak të mosgjetjes së një vendi të përshtatshëm ku ata do ta kryenin punë e tyre.
Në një komunikatë për media, Vetëvendosje ka dhënë versionin e vet të ngjarjes dhe ka shprehur keqardhje për atë që e quan “keqkuptim.”
“Për shkak të pamundësisë për të lëvizur në sallë, lindi një keqkuptim, me ç’rast ekipet e mediave e lëshuan aktivitetin. Ne shprehim keqardhjen tonë për këtë keqkuptim dhe shpresojmë në mirëkuptim tuaj”, ka thënë Vetëvendosje.