Kusari-Lila paralajmëron masa të reja për naftën nëse rrezikohet furnizimi
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar masa të reja në tregun e derivateve nëse rritja e çmimeve shkakton probleme me furnizimin në Kosovë. Ajo ka folur për këtë çështje në një intervistë për Ekonomia Online, ku ka thënë se aktualisht sasia e naftës që po importohet dhe shitet në vend nuk…
Lajme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar masa të reja në tregun e derivateve nëse rritja e çmimeve shkakton probleme me furnizimin në Kosovë.
Ajo ka folur për këtë çështje në një intervistë për Ekonomia Online, ku ka thënë se aktualisht sasia e naftës që po importohet dhe shitet në vend nuk ka pësuar ndryshime.
Sipas Kusari-Lilës, Ministria po e përcjell çdo ditë situatën në treg dhe po merr të dhëna nga Dogana e Kosovës për importet, çmimet dhe sasitë e sjella nga kompanitë.
Ajo ka bërë të ditur se një nga masat që mund të shqyrtohet është kufizimi i sasisë së derivateve, nëse situata përkeqësohet.
“Ne mund të shqyrtojmë dy forma. Nëse ka përcaktim të çmimit, mund të ketë edhe përcaktim të kufizimit të sasisë”, ka deklaruar Kusari-Lila, duke përmendur Slloveninë si shembull.
Ndërkaq, për rritjen e çmimeve, ministrja ka thënë se shkak janë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet e mundshme të furnizimit nga vendet prodhuese.
“Rritja e çmimit nuk ka ndodhur si rrjedhojë e heqjes së vendosjes ose përcaktimit të çmimit maksimal, por ka ardhur si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme”, ka thënë ajo.
Vendimi për çmimin maksimal të derivateve u hoq më 4 shtator 2026. Prej atëherë, çmimet përcaktohen nga tregu.
Kusari-Lila ka shpjeguar se masa ishte hequr pasi ishte tejkaluar afati prej 90 ditësh i përcaktuar me udhëzim administrativ. Ministria e kishte mbajtur atë në fuqi për 150 ditë.