Me zgjedhje zgjidhet ngërçi

Analistët politik vlerësojnë se ka dy opsione që do të mund të nxirrnin Kosova nga kriza politike në të cilën është.

Lajme

10/09/2014 09:25

Njëra prej tyre është që përmes marrëveshjeve të arrihet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe më pas Qeveria ose që Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga të shpërbëjë Kuvendit dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Analisti Armend Muja thotë se opsioni i shkuarjes në zgjedhje do t’i jepte mundësi votuesit se cilin prej koalicioneve ta votonte, atë të PDK-së apo të LAN-it.

“Procesi zgjedhor sistemin politik e ka dërguar në një ngërç politik, ngërç ky i cili vështirë mund të tejkalohet për shkak të mungesës së maturimit dhe përvojës demokratike.

“Në një kontekst të tillë është më legjitime sikur të riprovohej edhe njëherë diktati i sovranit dhe votuesit me këtë koalicion paszgjedhor që kanë dalë. Mirë është që votuesi të ketë mundësinë që të gjykojë vetë se cili koalicion i përfaqëson më së miri ose portretizon seriozitetin dhe ofertën programore”, ka thënë Muja për gazetën Tribuna.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova mendon se është më mirë që vendi të shkojë në zgjedhje, nëse partitë politike nuk arrijnë që më 12 shtator të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

“Është krijuar një hendek i madh moral i legjislaturës e cila nuk arrinë me konstituua vetëventen. Në këtë rast ose duhet të vetëshpërblehet, ose presidentja duhet të reagojë dhe ta shpërbëjë atë. Nëse në seancën e 12 shtatorit nuk arrihet që të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Ashtu siç e ka përcaktuar Kushtetuta, unë mendoj që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse nuk ka kuptim që ai të vazhdojë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Dren Doli vlerëson se është sinjal i mirë që LAN dhe Vetëvendosje kanë arritur që të kenë një marrëveshje bashkëpunimi. Ai thotë se me këtë gjë është hapur rruga që vendi të ketë qeverinë e saj sa më shpejt.

“Unë besoj që sinjalet që Vetëvendosje është e gatshme për të qenë pjesë e një koalicioni qeverisës së bashku me LAN-in dhe lajmi që LAN ka pranuar parimet e Vetëvendosjes është sinjal i mirë për qytetarët e Kosovës, që vendi mund të ketë një qeveri sa më shpejt në mes të këtyre dy grupeve politike e që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Doli, shkruan sot Tribuna.