“Më teret goja prej mërzisë”, forcat serbe Alemshahe Krasniqit ia vranë burrin e çikën

Alemshahe Krasniqi, 65 vjeçe, nga Fushë Kosova, e ka të vështirë ta presë datën 1 prill dhe të rikujtojë të njëjtën datë të vitit 1999.

Lajme

31/03/2022 21:12

Asaj, 23 vjet më parë, forcat serbe ia vranë pesë anëtarë të familjes së ngushtë, burrin, vajzën, të dy vjehrrit, kunatin, si dhe tetë anëtarë tjerë të familjes së afërt.

Pas fillimit të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, anëtarët e familjes Krasniqi fillimisht kishin tentuar të largoheshin nga shtëpitë e tyre, Por, forcat serbe i kishin kthyer prapa.

Për të shmangur rrezikun e shfarosjes së tërësishme, burrat ishin ndarë vetë nga gratë, duke u strehuar në dy shtëpitë e tyre. Por, kur vajza e saj, Blerta, kishte shkuar t’u çonte bukën burrave, bashkë me shoqen e saj të afërt dhe dy gra tjera, që të gjitha kishin gjetur vdekjen aty, bashkë me burrat, të ekzekutuar nga forcat serbe.

“Janë vrarë nëna dhe baba i burrit, dy çika, burri im dhe kunati, pra janë gjashtë. Agroni, i shtati, Hamdiu i teti, Zymberi vetë i katërti, po bëjnë 12 dhe Miftari, i trembëdhjeti. Janë vrarë edhe disa kojshi, dy apo tre. Vajza ime e ka pasur emrin Blerta. E kam pasur të vetmen çikë. Agroni, Arbeni kanë qenë të rinj. Sytë po më qorrohen…po si jo? Ndihem si është më zi… Tash, duke folur, po më teret goja”, rrëfen Alemshahja.

Në të njëjtën kohë, një grup grash nga Prishtina, që ishin strehuar në shtëpitë afër shtëpisë së familjes Krasniqi, ishin dëbuar nën tytat e armëve të forcave serbe, drejt stacionit të trenit.

“Nëpër oborrin tonë i kanë sjellë disa gra e vajza dhe i kanë çuar kah stacioni i trenit. Të njëjtit policë, dy, me maska. Nga gratë e fqinjëve, që i kanë dëbuar, një prej vajzave ka përmendur një polic me emrin (nofka) Pegja”, thotë Alemshaja.

Gjashtë vjet pas plojës ndaj familjes Krasniqi, trupat e pajetë të anëtarëve të kësaj familjeje, ishin gjetur në varrezën masive në Batajnicë, në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd.

“Vajzën ma kanë sjellë, si dhe kunatin edhe vjehrrën, pas gjashtë vjetësh, në morgun e Rahovecit. Burrin dhe vjehrrin, si dhe një fqinj tonin, i kanë sjellë pas shtatë vjetësh. Ata i kemi varrosur. Nesër (1 prill) e kemi përvjetorin, nesër mbushen 23 vjet. E rëndë mjaft. Por, më mirë se që janë ato eshtra aty se sa mos t’ua dimë varret fare”, thotë Alemshahja.

Por, as tash e më shumë se dy dekada, siç thotë ajo, vrasësit nuk u gjetën kurrë dhe as nuk u soll drejtësia për më të dashurit e saj të vrarë. Ajo thotë se i janë zbehur shpresat se vrasësit ndonjëherë do të sillen para drejtësisë. Megjithatë, ajo nuk beson që institucioneve të Kosovës u mungon vullneti për një gjë të tillë, por siç shprehet ajo, “kaq kemi fuqi”. /REL/