Më së shumti pikë në intervistë! VV po e vendos në krye të Agjencisë për Barna njeriun e saj, ish-kandidaten për deputete Vlora Limani-Hajnuni

Kapja e institucioneve publike nga partia në pushtet po vazhdon. Madje të njëjtit po shfrytëzojnë edhe qëndrimin si qeveri në detyrë që t’u gjejnë pozita sa për t’i rehatuar njerëzit e partisë. Kësaj radhe, Vetëvendosje e ka vën nën “drejtimin e saj” edhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale që funksionon në kuadër…

Lajme

18/08/2026 15:45

Kapja e institucioneve publike nga partia në pushtet po vazhdon. Madje të njëjtit po shfrytëzojnë edhe qëndrimin si qeveri në detyrë që t’u gjejnë pozita sa për t’i rehatuar njerëzit e partisë.

Kësaj radhe, Vetëvendosje e ka vën nën “drejtimin e saj” edhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton lajmi.net.

Kjo agjenci do të udhëhiqet nga ish-kandidatja për deputete e VV-së, Vlora Limani-Hajnuni. Ajo është nga qyteti i Lipjanit dhe në zgjedhjet shkurtit të vitit 2025, ajo ishte pjesë e listës së VV-së me numër 79.

Por jo vetëm kandidate nga Vetëvendosje. Se Limani-Hajnuni është zyrtare e Vetëvendosjes kuptohet lehtësisht edhe nga fakti se ajo ka qenë edhe këshilltare politike e ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në konkursin për Drejtor Ekzekutiv të agjencisë, sipas rezultateve tanimë publike, ish kandidatja për deputete Limani-Hajnuni mori 83 pikë. Nga testi me shkrim mori 30 pikë. Ajo kishte më pak pikë se Agon Hoti në testin me shkrim dhe kishte pikë njësoj sikurse kandidatja tjetër Sulltane Havolli. Çuditërisht nga pikët e intervistimit ajo arriti që t’i sigurojë vetes maksimumin e pikëve të përgjithshme dhe duke kaluar kështu në kandidaten “fituese” të këtij konkursi.

Pra saktësisht loja “ndryshoi” tek pikët e intervistës, ku Vlora Limani-Hajnuni mori 53 pikë, më së shumti nga tre kandidatët.

Agon Hoti kishte 36.36 pikë, kurse Sulltane Havolli mori 40.4 pikë.

Para se të bëhej pjesë e VV-së, Vlora Limani-Hajnuni ishte deputete e LDK-së dhe pjesë e ekzekutivit në komunën e Lipjanit. Tash, ajo është pjesë e strukturave të VV-së në Lipjan.

Ajo ishte deputete në legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Ajo legjislaturë e kishte votuar formimin qeverisjes “Kurti 1” dhe po ashtu rrëzimin e saj.

Vlora Limani-Hajnuni ishte njëra nga deputetët e LDK-së që kishte votuar për shkarkimin e “Kurti 1”. Pas 7 viteve, ajo tash po i shijon frytet e qeverisë së Albin Kurtit, duke pritur që të vendoset në një agjenci tejet tejet të rëndësishme, e që së fundi ka pasur një sërë telashesh pikërisht për furnizimet me barna nëpër institucionet përkatëse shëndetësore./Lajmi.net/