Me mua, pa bërllok

Korab Sejdiu beson se Prishtina mund ta ketë pastërtinë që qytetarët e saj e meritojnë. Por, vetëm pasi menaxhimi dhe vullneti të jenë në nivel.

Lajme

25/10/2013 15:19

Kandidati i AKR’së për Kryetar të Prishtinës, Korab Sejdiu, ka kritikuar organet përgjegjëse për papastërtinë para qendrave të mjekësisë familjare në Prishtinë.

Ai ka thënë se bërlloku që gjendet afër këtyre qendrave mund t’i kthejë të sëmurit në shtëpitë e tyre me ndonjë infeksion e më të sëmurë se ç’ishin.

“Bërlloku është vetëm 50 metra nga sheshi dhe ne kemi thënë edhe në të kaluarën se po shndërrohemi në shesh pa qytet”, ka thënë Sejdiu.

“Bërllokun po e ndjejmë me hundë, po e shkelim, po e shohim dhe më e keqja është se ky bërllok gjendet 10 metra nga Ambulanca. Këtu njerëzit vijnë të kurohen dhe të kërkojnë shërbime mjekësore ndërsa rrezikojnë që të marrin ndonjë infeksion ose të dalin nga kjo hapësirë edhe më të sëmurë sa që kanë ardhur”.

“Nga marrja e mandatit tim, mbeturinat do të mblidhen tek dera e shtëpisë së banesave ose shtëpive”.

“Çështja e dytë është që do të ketë menaxhim tërësisht të ndarë sa i përket restoraneve, bareve dhe subjekteve të tjera afariste”.

“Do ta disiplinojmë hedhjen e mbeturinave industriale, veçanërisht ato të ngurta që vijnë nga ndërtimtaria.

“Poashtu ne do t’i disiplinojmë nëpërmes të rregulloreve të Kuvendit edhe reklamimin në hapësira publike që është një nga ndotësit kryesorë të qytetit”, tha Korab Sejdiu

Sipas tij, qyteti i Prishtinës dhe qytetarët e saj do ta kenë pastërtinë e merituar vetëm me vullnet dhe menaxhim më të mirë.