Me aktakuza, por deputetë të zgjedhur- Kush mori votën e popullit ani pse me aktakuzë aktive, prijnë deputetët e Vetëvendosjes
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar tanimë rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Nga këto zgjedhje Vetëvendosje mori mbi 51.11% të votave duk siguruar 57 mandate, kurse PDK mori 20.19% me 22 ulëse, LDK 13.23% me 15 deputetë, AAK me 5.50% gjashtë deputetë ndërsa Lista Serbe mori gjithsej 4.48% me 9 deputetë gjithsej.…
Lajme
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar tanimë rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Nga këto zgjedhje Vetëvendosje mori mbi 51.11% të votave duk siguruar 57 mandate, kurse PDK mori 20.19% me 22 ulëse, LDK 13.23% me 15 deputetë, AAK me 5.50% gjashtë deputetë ndërsa Lista Serbe mori gjithsej 4.48% me 9 deputetë gjithsej.
E në listat kandiduese të këtyre partive pati përfaqësime nga më të ndryshmet, nga ata profesionistët, nga ish-deputetë e emra të rinj- por natyrisht as këtë herë nuk munguan njerëzit nën aktakuza.
Në listat e këtyre partive politike ishin gjithsej 19 kandidatë me aktakuza aktive të cilët garuan për t’u zgjedhur deputetë, lajmi.net.
Por kush ia arriti në fakt?
Albulena Haxhiu, me aktakuzë aktive për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Madje Haxhiu është femra më e votuar në Kosovë, duke lënë pas vetës numër të madh të politikanëve të njohur.
Haxhiu mori saktësisht 174,335 vota.
E deputete arriti të bëhet edhe Arbërie Nagavci, e cila po ashtu është me aktakuzë aktive për të njëjtën vepër sikurse kolegia e saj Haxhiu.
Por ndryshe nga Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci u votua më pak.
Në fakt ajo doli mjaftë poshtë në listë,me vetëm 24,582 vota, raporton lajmi.net.
Deputet u zgjodh edhe Fikrim Damka nga KDTP, cili po ashtu ka aktakuzë aktive. Ai mori 2 mijë e 517 vota.
Damka akuzohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar”. Aktakuza ndaj tij madje u ngrit më 2025.
E këtu nuk mungon as deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Pacolli ka aktakuzë aktive për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, aktakuzë kjo nga viti 2019.
Fitore Pacolli në këto zgjedhje mori gjithsej 27 mijë e 133 vota.
E nën aktakuzë është ende edhe Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në gjithë Kosovën.
Konjufca ngarkohet me aktakuzën për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga viti 2017.
Në zgjedhjet e dhjetorit Konjufca mori hiç më pak se 318,532 vota.
E votë qytetarët patën edhe për kandidaten Rozeta Hajdari e cila në fakt ngarkohet me një prej akuzave më të rënda në kuadër të keqpërdorimeve që dyshohet se janë bërë në institucione publike.
Hajdari ngarkohet me aktakuzën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” për rastin e Rezervave Shtetërore, aferë kjo e cila i shkaktoi rreth tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit. Kompani turke dhe polake ishin kontraktuar me procedura të kundërligjshme, ndërsa malli i porositur – mielli, vaji dhe sheqeri – nuk kishte ardhur në sasinë e paraparë. Gjithashtu, blerja e tyre ishte bërë me çmime më të larta sesa në treg.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ministres dhe tre të tjerëve: dy zyrtarëve të ministrisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Në seancën e parë shqyrtuese, Rozeta Hajdari nuk ishte paraqitur fare me arsyetimin se nuk e kishte marrë njoftimin nga gjykata. Seanca e radhës pritet të mbahet më 13 janar.
Kurse në një konferencë për media pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari e kishte quajtur proces politik kundër saj dhe Qeverisë Kurti.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm, duke marrë parasysh periudhën ku ndodheshim ne më 2022”, kishte deklaruar Hajdari.
Rozeta në këto zgjedhje nuk hy në mesin e më të votuarve të Vetëvendosjes. Madje ajo mori vetëm 20 mijë e 430 vota.
Edhe Salih Zyba është zgjedhur deputet, ani pse vazhdon të jetë nën aktakuzë. Salih Zyba ka aktakuzë të ngritur nga viti 2019, për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Zyba në këto zgjedhje mblodhi 19 mijë e 893 vota.
I zgjedhur është edhe Valon Ramadani nga Vetëvendosje me gjithsej 22 e 309 mijë vota.
Ramadani i Vetëvendosjes po ashtu është i akuzuar për “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare; Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
E nën aktakuzë vazhdon të jetë edhe ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Aktakuza ndaj tij u ngrit më 2019. Sveçla akuzohet për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Në këto zgjedhje Sveçla është në top më të votuarit e Vetëvendosjes, me 138,320 vota.
E nën aktakuzë, por deputet tanimë i zgjedhur është edhe Slavko Simiq nga Lista Serbe.
AI mori 22 mijë e 615 vota gjithsej.
Simiq akuzohet për “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Krejt këta emra të lartpërmendur kanë arritur që të mbledhin votën e qytetarit, besimin e tyre edhe për një mandat- pavarësisht problemeve e përballjes me ligjin.
Mbetet të shihet nëse në vitin 2026 Gjykatat do të arrijnë të trajtojnë këto lëndë, në mënyrë që të dihet përfundimisht më pas statusi i tyre përballë hetuesisë e drejtësisë./Lajmi.net/