Me 99 vota për miratohet Deklarata e Kuvendit për aktgjykimin e Speciales në Hagë
Kuvendi i ri i Kosovës ka mirtuar të hënën një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca…
Lajme
Kuvendi i ri i Kosovës ka mirtuar të hënën një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Deklarata u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Me këtë rast pas votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është miratuar deklarata në lidhje me aktgjykimin.
“Me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim”.
Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.
Më 16 shtator Gjykata Speciale dënoi me 81 vite burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi 25 vite, Jakup Krasniqi 25 vite, Kadri Veseli 18 vite dhe Rexhep Selimi 13 vite burgim.
Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit./Lajmi.net/
