Mbrojtja e Salih Mustafës me njoftim për apel, Trendafilova e cakton panelin

Mbrojtja e Salih Mustafës ka parashtruar njoftim për apel ndaj vendimit të shkallës së parë në Gjykatën Speciale, ku u dënua me 26 vjet burgim nën pretendimin për krime lufte. Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka caktuar panelin e Apelit që do të trajtojë këtë kërkesë. “Pas dorëzimit të njoftimit…

Lajme

09/02/2023 12:01

Mbrojtja e Salih Mustafës ka parashtruar njoftim për apel ndaj vendimit të shkallës së parë në Gjykatën Speciale, ku u dënua me 26 vjet burgim nën pretendimin për krime lufte.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka caktuar panelin e Apelit që do të trajtojë këtë kërkesë.

“Pas dorëzimit të njoftimit (konfidencial) për apel nga Mbrojtja e Mustafës më 2 shkurt, Kryetarja e DHSK-së caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur mbi apelin kundër Aktgjykimit, të shpallur më 16 dhjetor 2022”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në dhjetor të vitit të kaluar, trupi gjykues në krye me gjyqtaren Mappie Veldt Foglia kishte shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim, llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.

Për Mustafën, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar dënim fajësie me 35 vjet burgim.

Ky ishte aktgjykimi i parë i Speciales për pretendimet për krime lufte.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Ai po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur ishte arrestuar.