Mbrojtja e Krasniqit kërkon të pranohen dokumentet që kundërshtojnë pretendimet se UÇK-ja ka pasur politikë të ndalimit dhe njohurinë e të akuzuarit për krimet e pretenduara

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar që të pranohen në prova dokumente që janë më shumë raporte ndërkombëtare, raporte mediatike dhe dosje hetimore, e që lidhen me krimet në aktakuzë. Këtë kërkesë, mbrojtja e ka parashtruar tek trupi gjykues në këtë rast më 15 shtator 2025.…

Lajme

17/09/2025 12:54

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar që të pranohen në prova dokumente që janë më shumë raporte ndërkombëtare, raporte mediatike dhe dosje hetimore, e që lidhen me krimet në aktakuzë.

Këtë kërkesë, mbrojtja e ka parashtruar tek trupi gjykues në këtë rast më 15 shtator 2025. Përveç Krasniqit, në këtë rast bashkë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kërkesën e mbrojtjes, sipas parashtrimit Prokuroria s’e ka kundërshtuar.

Materialet e propozuara sipas mbrojtjes lidhen me vende që përmenden në aktakuzë si Gjilani, Shala, Rahoveci, Prizreni, Llapashtica, Budakova, Semetshta dhe Drenoci.

“Materialet janë mbështetëse dhe plotësuese të dëshmive të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe dokumenteve të tjera tashmë të pranuara në këtë rast”, thuhet në parashtresën e dorëzuar nga mbrojtja.

Dokumentet përveç raporte ndërkombëtare, janë edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i. Sipas mbrojtjes, shumica e këtyre dokumenteve janë siguruar nga Prokuroria prej organizatave ndërkombëtare ose janë marrë në domenin publik.

Mbrojtja thotë se dokumentet e propozuara janë të rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet e aktakuzës që lidhen me ekzistencën e supozuar të një politike kundër të ashtuquajturve kundërshtarë. E po ashtu, sipas mbrojtjes, janë dokumente për të kundërshtuar njohurinë e të akuzuarit për krmet që pretendohet se janë kryer ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës.

“Provat e propozuara janë bashkëkohore me krimet e pretenduara dhe kanë origjinë nga media, vëzhgues ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, ose autoritete (ndërkombëtare) hetimore”, thuhet në parashtrim.

Në veçanti sipas mbrojtjes këto prova kundërshtojnë krimet e ngritura në aktakuzë dhe në veçanti pretendimet për një sulm të përhapur nga UÇK-ja kundër popullatës civile. Si dhe sipas mbrojtjes, këto dokumente janë provuese për mungesën e kontrollit efektiv të Krasniqit mbi ndonjë anëtar të UÇK-së, ose njohurinë e tij ose synimin e tij për të kryer ndonjë krim në nivel lokal.

Për dokumentet që lidhen me vendndodhjet sipas aktakuzës në Gjilan, Rahovec dhe Prizren, sipas mbrojtjes kryesisht tregojnë çorganizimin e UÇK-së dhe paaftësinë e grupit për të kontrolluar anëtarët e saj në periudhën pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, dhe rrethanat kaotike në Prizren dhe Rahovec, të shkaktuara nga kthimet masive të refugjatëve.

“Situata e popullsisë së kthyer përballë pasojave të konfliktit, raportohet se krijoi rrethana ku civilët, në mënyrë të pavarur, u hakmorën për dëmet dhe humbjet që kishin pësuar, duke u angazhuar në sulme, plaçkitje dhe dëmtime të objekteve civile. Ekspozitat e propozuara dokumentojnë këto rrethana, duke treguar se krime të tilla janë kryer nga individë dhe grupe që vepronin jashtë kontrollit, njohurisë ose synimit të të akuzuarit”, thuhet në parashtrim.

Sipas mbrojtjes, dokumentet që lidhen me vendndodhjen e aktakuzës në Shalë, tregojnë raste kur personat e kapur nga UÇK gjatë luftës raportuan se ishin trajtuar drejt.

Mbrojtja thotë se provat kundërshtojnë pretendimin se ndalimet dhe keqtrajtimet e atribuuara UÇK-së ishin pjesë e një politike të përbashkët.

“Mungesa e uniformitetit të veprimeve tregon çorganizim brenda UÇK-së si strukturë dhe mungesë të ndonjë politike të përbashkët sa i përket këtyre ngjarjeve”, thuhet në parashtrim.

Ndërsa, për vendet si Llapashticë dhe vendet përreth saj, dokumentet sipas mbrojtjes flasin për marrëdhëniet ndërmjet LDK-së dhe UÇK-së duke kundërshtuar ekzistencën e supozuar të ndonjë politike të UÇK-së kundër kundërshtarëve politikë, përfshirë anëtarët e LDK-së.

“Më tej, një material tjetër i paraqitur për vendndodhjen e Aktakuzës në Llapashticë dhe Vendndodhjet e Ndërlidhura tregon se informacioni i dhënë nga media nuk kishte origjinë domosdoshmërisht nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, por ishte dhënë nga njësi individuale në terren. Ky i fundit është i rëndësishëm për të kundërshtuar pretendimin se të Akuzuarit ishin të përfshirë në formulimin dhe shpërndarjen e gjithë informacionit të marrë nga media”, thuhet në parashtrim.

Ndërsa, për vendet si Budakovë dhe Semetishtë lidhur me zhdukejn e viktimave Latife dhe Rrushe Kololli, sipas mbrojtjes dokumentet ofrojnë mbështetje faktike për dëshmitë e dëshmitarëve tashmë të pranuara dhe janë të rëndësishme në kontekstin e provave të pranuara që tregojnë se autori i supozuar ishte një ushtar i thjeshtë që nuk kishte vepruar sipas urdhrit të ndonjë eprori.

Për ngjarjet në Drenoc që kanë të bëjnë me vdekjen e një personi të quajtur Azer Tarjani, sipas mbrojtjes forcojnë dëshmitë e dëshmitarëve që vërtetojnë përfshirjen e Tarjanit në një gjakmarrje dhe vrasjen e tij si pasojë e saj.

“Materialet janë të rëndësishme për të vërtetuar ekzistencën e gjakmarrjeve në shoqërinë e Kosovës gjatë periudhës së Aktakuzës dhe për të treguar se krimet janë kryer nga individë që kanë përfituar nga lidhja e tyre me UÇK-në, në vend që të merrnin urdhra për veprime të tilla ose të ndiqnin ndonjë politikë të përbashkët”, thuhet në parashtrim.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi