Mbi 60 filma do të shfaqen sivjet në PriFest

Këtë vit Festivali i filmit i Prishtinës premton një kënaqësi të madhe për adhuruesit e filmit. PriFest do të prezantojë rreth 60 filma, më shumë sesa çdo vit tjetër dhe ata do të ndahen në 7 programe të ndryshme.

ShowBiz

15/04/2014 21:01

Filmi britaik ‘Philomena’, e Stephen Frears, regjisor i nominuar dy herë për Oscar dhe fitues i më shumë se 50 çmimeve, është planifikuar që të bëjë hapjen e PriFestit të sivjetshëm më 25 prill, përderisa fituesi i tre çmimeve Oscar këtë vit, ‘Dallas Buyers Club’ do të hap natën e dytë të PriFest-it të programit LetItBe, një program dedikuar temës LGBT, bashkëpunim me festivalin e filmit OutFest në LA dhe në mbështetje të Ambasades së SHBA në Prishtinë, bëri të ditur drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha.

“Festivali do të mbyllet me një nga filmat më të përmendur këtë vit, me versionin 240 minutësh të‘Nymphomaniac’, nga Lars Von Trier, më 1 maj”, thuhet më pas për këtë edicion të festivalit, në të cilin, sipas tyre do të përfshihen edhe 5 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare dhe me mbi 50 premiera në Kosovë.

Një tjetër risi për këtë vit është bashkëpunimi me British Council për të realizuar ‘British night’ në festival me tri filmat e një nga industrive më të mëdha kinematografike, asaj britanike ‘The Selfish Giant’ në programin garues evropian, ‘London: The modern Babylon’, në programin dokumentar, dhe me filmin e nominuar për Oscar ‘Philomena’ në programin e Projeksioneve Speciale.

Programi Garues Evropian do të sjellë 10 filma nga Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Rusia, Izraeli, Ukraina, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Italia.

Programi Garues i Filmave të Ballkanit, i emëruar si Kinemaja e Mjaltës dhe Gjakut, do të sjellë filma nga Maqedonia, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bosnja, Serbia dhe Rumania.

Programi konkurrues i metrazhit të mesëm, program i veçantë për rajon, do të prezantojë produksione nga Shqipëria, Polonia, Gjermania, Franca, Sllovakia, Kosova, etj. përderisa filmat dokumentarë vijnë nga Irani, Gjermania, SHBA-të, Britania e Madhe, etj.

Berisha ka treguar se India do të sjellë 5 filma art house të veçantë.