Mbi 19 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Krahas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, është rritur edhe numri i rasteve aktive me këtë virus.

Lajme

25/01/2022 08:07

Aktualisht në vend janë 19 mijë e 519 raste aktive me COVID-19. Prishtina vazhdon të prijë me numrin shumë të lartë të rasteve aktive me COVID-19. Vetëm në këtë komunë janë 7 mijë e 426 raste aktive me COVID-19, ndërsa 1 mijë e 576 raste janë në Komunën e Mitrovicës, 1 mijë e 481 në Pejë, e 1 mijë e 30 në Fushë Kosovë. Janë dhe komuna të tjera që kanë raste aktive me COVID-19.

Ndërkohë që në raportin e fundit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për dy raste të vdekjes dhe 2 mijë e 243 raste të reja pozitive me COVID-19.

Shkak i rritjes së numrit të rasteve institucionet shtetërore morën vendim për masa të reja antiCOVID-19. Ndër masat e marra janë moslejimi i hyrjes në Kosovë për personat që nuk janë vaksinuar edhe me dozën e tretë

“Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: 2.1 Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19; 2.2 Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

E kjo ngjalli reagime të shumta jo vetëm nga qytetarët por edhe nga shtetet fqinje.

Ndërkohë që si masë është edhe që gastronomia të punojë deri në orën 21:00, ndërsa qytetarët do të mund të qarkullojnë vetëm deri në orën 22:00.