Mbi 100 prokurorë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve, më 8 qershor

Mbi 100 prokurorë do të ruajnë votën e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Kjo është bërë e ditur në tryezën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

 

Lajme

21/05/2014 19:25

Betim Musliu, nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe sensibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim kundër manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2014, njofton KosovaPress.

Përvoja e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, sipas Musliut, duhet të shërbejë për të avancuar rolin proaktiv dhe aktivitetet e institucioneve të drejtësisë në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtës së votimit.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë keqpërdoruesve eventualë të votave që mund të ndodhin gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula tha se institucionet e drejtësisë janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit.

“Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit, prandaj prokurorët vetëm sa do të shtojnë bashkëpunimin e ngushtë me policinë për zbatimin e tyre. Parimi kryesor është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët, në një apo mënyrë tjetër, do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.

Pula tha se në ditën e votimit, më 8 qershor, do të angazhohen mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 punonjës, staf mbështetës i prokurorive, të cilët do të mbajnë kujdestari në tërë territorin e Republikës së Kosovës .

Në këtë tryezë morën pjesë rreth 50 përfaqësue të institucioneve të drejtësisë, disa  kandidatët për deputetë, drejtorë të shkollave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

(KosovaPress)