Mbi 100 mijë euro paga për punëtorët që nuk dolën në punë, auditori gjen shkelje në MPB

Hiç më pak se 108 mijë e 794 euro para të buxhetit të Kosovës janë ekzekutuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për zyrtarë të cilët nuk kishin dal fare në punë në vitin 2023. Bëhet fjalë për punonjësit e komunitetit serb, saktësisht 20 prej tyre të cilët u punësuan  nga kjo ministri. Kjo është…

Lajme

07/07/2024 21:06

Hiç më pak se 108 mijë e 794 euro para të buxhetit të Kosovës janë ekzekutuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për zyrtarë të cilët nuk kishin dal fare në punë në vitin 2023.

Bëhet fjalë për punonjësit e komunitetit serb, saktësisht 20 prej tyre të cilët u punësuan  nga kjo ministri.

Kjo është një ndër gjetjet që ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit të cilët ndër të tjera kanë rekomanduar që të ndërmerren hapa nga ministri Xhelal Sveçla për shkak se sipas tyre pagesat e tilla shkaktojnë dëmtim të buxhetit shtetëror.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve,” thuhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Keqpërdorim të financave të shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar edhe në një proces tjetër që pos Ministrisë së Punëve të Brendshme përfshihet edhe institucioni i Policisë së Kosovës.

Auditori  kanë deklaruar se  kanë evidentuar kompensim të pagës jo në përputhje me dispozitat ligjore për zyrtarët policor të cilët ishin suspenduar nga IPK.

“Mos respektimi i rregulloreve në fuqi për kompensimin e pagave për suspendim të përkohshëm më gjatë se gjashtë muaj, mund të sjellë kosto shtesë për buxhetin e Policisë së Kosovës, duke ulur disponueshmërinë e fondeve për nevojat tjera buxhetore. Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së duhet të sigurojnë që të zbatohen me saktësi kufizimet kohore dhe kompensimet në pagë sipas rregullores në fuqi.”

Auditori poashtu ka gjetur pesë raste të vonesave në realizimin e punimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme. Të pestat raste kanë të bëjnë me mospërmbushjen e obligimeve kontraktuale.

Auditori ka specifikuar rastet apo projektet që nuk janë përfunduar brenda afateve ligjore përfshirë Ndërtimin e objektit të mensës në Akademinë e Kosovës për siguri publike, projekti “Ndërtimi i shkollës profesionale në Komoran-Drenas” etj.

Ministria e Punëve të Brendshme, sipas raportit, është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe do t’i marr parasysh rekomandimet.