Mbahet Testi i Maturës: Pyetjet shpërndahen sërish në rrjete sociale

Sot është mbajtur testi i maturës për nxënësit e shkollave të mesme të larta, të cilit i janë nënshtruar 19 mijë e 200 maturantë në gjithë vendin. Por sikur viteve të kaluara, edhe këtë herë pyetjet e testit janë shpërndarë masivisht në rrjete sociale, të cilat disa maturantë i kanë shfrytëzuar për të kopjuar. Për…

Lajme

22/06/2024 22:46

Sot është mbajtur testi i maturës për nxënësit e shkollave të mesme të larta, të cilit i janë nënshtruar 19 mijë e 200 maturantë në gjithë vendin. Por sikur viteve të kaluara, edhe këtë herë pyetjet e testit janë shpërndarë masivisht në rrjete sociale, të cilat disa maturantë i kanë shfrytëzuar për të kopjuar. Për parregullsitë ka heshtur Ministria e Arsimit

Tri viteve si nxënës të shkollave të mesme të larta po u japin fund me mbajtjen e testit të maturës.

E, njëra ndër adresat për të mbajtur testimin qe edhe gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, shkollë të cilën e frekuentuan nxënës të disa shkollave të kryeqytetit.

Testi prej 100 pyetjesh përmbante gjithsej katër lëndë. E përmbajtjen e tij, maturantët e konsiderojnë të qartë.

“Testi ka shku mirë. Nuk mu ka dok që është kohëzgjatja e duhur dy orë e gjysmë se kemi pas nevojë nashta edhe për pak ma shumë. Por, përjashtimisht kësaj, ka qenë shumë nxehtë edhe nuk kemi pas qarkullim t’mjaftueshëm të ajrit brenda”, ka thënë Diar Gashi, Maturant i “European School Kosova”.

E të tjerë, ankesat i patën për kushtet në të cilat u zhvillua testimi.

“Jo shumë i rëndë se jam përgatit mirë për testin. Ka qenë shumë nxehtë, s’kish klimë, e do dritare nuk u hapshin hiç. Pak keq që u mbajt në shkolla të ndryshme”, ka thënë Leon Zuka, Maturant i “European School Kosova”.

“Kushtet, pak nxehtë po mirë u shku. M’ka ra ma mirë transporti po keq që na ndajtën. Një shoqe t’shkollës e kam pas klasën tjetër, ti kisha pas tonët ma shumë s’kisha lyp”, është shprehur Altuna Mehani, Maturante e shkollës “Ali Sokoli”.

Si qendër testimi ka shërbyer edhe shkolla fillore ”Meto Bajraktari”. E njësoj sikurse në të gjitha qendrat, edhe këtu u bë e qartë se telefonat nuk lejohen gjatë testimit.

“Telefoni është i ndaluar nuk lejohet që të përdoren duhet të dorëzohen, nuk duhet të ketë kopjime sepse ndëshkohen me anulimin e testit. Plotësoni kërkesat që keni në momentin që hyni në klasë nuk lejohet të dilni deri në përfundimin e testit”, ka thënë Lah Nitaj, Kryetari i Qendrës së Testimit.

Megjithatë, si zakonisht, përdorimi i telefonit nuk u arrit të ndalohej tërësisht për maturanët.

Kjo pasi edhe këtë vit pyetjet e testit janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Në aplikacionin “Viber”, në këtë grup prej dy mijë anëtarësh, nxënësit kanë arritur të shkëmbejnë përgjigjet për pyetjet që u kanë rënë në test, gjatë kohës së testimit.

Për shkak të përdorimit të telefonëve, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në disa qendra nxënësit janë përjashtuar nga testimi.

Ndërsa sa i përket të dhënave të tjera rreth administrimit, MASHTI-i ka thënë se Komisioni Shtetëror i Maturës do të raportojë pas përpunimit të të gjitha raporteve.

Në total, gjatë ditës 19 mijë e 200 maturantë të shkollave të Kosovës i janë nënshtruar Testit të Maturës.

Ndërsa 500 nxënësve nuk u është mundësuar pjesëmarrja në testim si shkak i mos aplikimit të saktë, ose problemeve që kishin me Platformën “E-Kosova”.

Rezultatet e Provimit të Maturës do të publikohen më 01.07.2024.