Maskat e armatosura frikësojnë banorët rreth brezit kufitar
Në brezin kufitar me Shqipërinë, dy persona të maskuar që dyshohen se kanë qenë të armatosur, njëri me kallashnikov e tjetri me thikë, kanë kërkuar para nga disa banorë, të cilët po qëndronin pranë një dyqani në fshatin Orqushë trë komunës së Sharrit.
Lajme
Dy të armatosurit për të krijuar frikë dhe panik kanë shtënë me armë në drejtim të panjohur. Krismat kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët janë mbledhur, gjë që ka bërë që të dyshuarit të ikin në drejtim të panjohur, raporton Kosovapress.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja të kallashnikovit.
Ndërkaq në vendkalimin kufitar afër fshatit Orqushë, vazhdon puna në mënyrë normale.
E në brezin kufitarë me Shqipërinë tash e tutje do të ketë patrullime të përbashkëta të Policisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe do të shkëmbejnë informacione në baza ditore e sipas nevojës edhe më shpesh.
Patrullimi i përbashkët ka të bëjë me dyshimin e bazuar se personat e tillë mund të jenë nga fshatrat e shtetit shqiptar, pranë brezit kufitar, ndërsa policia e Sharrit (Dragashit) është zotuar të kryejë hetime në territorin e kësaj komune, pasi që akoma nuk dihet se kush janë autorët e këtij rasti.