MASHT: Orët e humbura sot në Prishtinë do të zëvendësohen
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme procesi mësimor është zhvilluar normalisht në të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të Prishtinës, ku mësimi është pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe problemeve në komunikacion. Sipas komunikatës, Inspektorati i Arsimit ka qenë në kontakt të…
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme procesi mësimor është zhvilluar normalisht në të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të Prishtinës, ku mësimi është pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe problemeve në komunikacion.
Sipas komunikatës, Inspektorati i Arsimit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtoritë komunale të arsimit dhe ka mbledhur informacione nga të gjitha rajonet për ecurinë e procesit mësimor.
Nga këto të dhëna, rezulton se shkollat në gjithë vendin, përfshirë ato me dy ndërrime kanë funksionuar pa ndërprerje.
Ndërkohë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka vendosur pezullimin e mësimit për të gjitha shkollat, pas vlerësimit të gjendjes së rënduar të motit dhe vështirësive në qarkullim.
MAShTI ka bërë të ditur se Inspektorati i Arsimit do të monitorojë zbatimin e zëvendësimit të orëve të humbura, në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MAShTI-t Nr. 01/2025 për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.
Ministria theksoi se do të vazhdojë komunikimin me komunat dhe institucionet arsimore për të siguruar vijueshmëri të procesit edukativo-arsimor, duke e vendosur në prioritet sigurinë e nxënësve.