MASHT e vlerëson të suksesshëm testin, rrjedhjen “online” nuk e përmend

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e ka vlerësuar si të suksesshëm procesin e mbajtjes së provimit si të Testit të Maturës, ndonëse gjatë mbajtjes së tij, janë shfaqur mundësi të mëdha të kopjimit ku edhe testi i maturës është publikuar në rrjetet sociale.

Lajme

04/06/2016 15:28

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Azem Guri tha se, sipas informatave të deritanishme, rezulton se ky proces ka shënuar progres në raport me vitet e kaluara.

“I tërë procesi ka shkuar sipas planit të paraparë, gjë që dëshmon përkushtimin e Ministrisë për administrim korrekt e ligjor të një procesi kaq të rëndësishëm si Matura Shtetërore. Definitivisht, sipas të dhënave zyrtare nga të gjitha komunat, ky është organizimi dhe administrimi më i mirë i Maturës Shtetërore”, thuhet në komunikatën nga MASHT.

Sipas kryetarit të KShM-së, Komisioni është shumë i kënaqur me nivelin dhe përgjegjësinë e dëshmuar nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces.

“Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, ne do të arrijmë që ta ngrisim cilësinë e arsimit në Republikën e Kosovës dhe të jemi konkurrentë në tregun e dijes”, tha ai, përcjell lajmi.net

KShM, tha Guri, në ditët në vazhdim, bashkë me përpunimin e rezultateve, do të bëj një analizë të plotë për gjithë procesin në funksion të përmirësimit eventual të ndonjë lëshimi të evidentuar, në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të kemi standard akoma më të avancuar të administrimit të Testit.

“MAShT dhe KShM i ka përcjellë nga afër rastet e izoluara të tentimit për kopjim dhe janë ndërmarrë masa dhe veprime të menjëhershme ndaj të gjithë atyre që kanë tentuar ta dëmtojnë këtë proces”, thuhet nga Ministria e Arsimit.