Martin Vulaj: Takimi virtual Hoti-Vuçiq ishte sa për sy e faqe

“Europa duhet të punojë shumë me 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën. Nëse nuk mund ta arrijnë njohjen nga këto 5 shtete, se paku duhet të abstenojnë nga procesi dhe mos ta bllokojnë atë siç i kanë bllokuar vizat deri më tani”.

Lajme

10/07/2020 18:45

Ish-udhëheqës i Këshillit Shqiptaro-Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Vulaj, ka thënë se takimi i sotëm virtual ndërmjet Kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është bërë vetëm sa për sy e faqe.

Vulaj nga New York-u ka shtuar se shpreson që ky nuk është një fillim i ri, por një fillim i fundit.

“Ky ishte një takim virtual sa për sy e faqe – demek që po fillon një proces i ri. Unë shpresoj se nuk është një fillimi i ri, por një fillim i fundit. Besoj se Europa duhet të japë sinjale shumë konkrete se e kanë seriozisht” tha ai në Klan Kosova.

“Duhet të harmonizohen qëndrimet BE-SHBA. Presidenti Donald Trump i ka dërguar dy letra ku ka thënë se dëshiron që ky proces të përfundojë me njohje të ndërsjellë”.

“Europa ende nuk e ka theksuar këtë gjë, ata dëshirojnë normalizim të marrëdhënieve. Kjo është një ndryshim i madh edhe që nuk është në dobi të madhe sepse normalizimi nënkupton që Serbia mund t’i plotësojë kriteret e kapitullit 35 dhe të ecë përpara në Europë; derisa Kosova nuk njihet ende”.

“Europa duhet të punojë shumë me 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën. Nëse nuk mund ta arrijnë njohjen nga këto 5 shtete, se paku duhet të abstenojnë nga procesi dhe mos ta bllokojnë atë siç i kanë bllokuar vizat deri më tani”.

“Më në fund besoj se duhet edhe një kornizë për këtë proces se si do të duket dialogu ku theksohet hapur se dialogu duhet të përfundojë me njohje të Kosovës që mundëson integrimin në NATO, OKB dhe BE”.