Marrëveshje fiktive, ujdi, transfere të jashtëligjshme, shuma të majme parash- Çka thotë dosja e BKS?

Informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disa mujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit. 45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar…

Lajme

09/01/2026 09:17

Informacione për keqpërdorime, mijëra euro të cilat qarkullonin nëpër xhirollogari bankare të qytetarëve të Kosovës, si kompensim për aksidente trafiku edhe në raste kur nuk kishte fare aksidente, ishin cak i një hetimi disa mujor të cilin e kreu Prokuroria Themelore e Prizrenit.

45 persona të identifikuar si të dyshuar, nga ta 39 janë arrestuar e shtatë të tjerë janë në kërkim, ky është bilanci i aksionit i cili u realizua më 08.01.2026 në disa regjione të Kosovës.

Në mesin e të dyshuarve që u arrestuan janë edhe ish-Drejtori Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, si dhe ish-Drejtori i Financave në po të njëjtin institucion, Valon Berisha.

Dosja e BSK tashmë do të vazhdojë edhe tutje të trajtohet, ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë edhe ngrirjen e xhirollogarive të të të dyshuarve të cilët pretendohet se përfituan kundërligjshëm kompensime nga BKS, këtë siç thotë Prokuroria e mundësuan Mazreku e Berisha.

Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milionë e 40 mijë euro.

Si bëhej transferi i parave

Mazreku e Berisha po dyshohen se nga korriku i vitit 2022 deri në tetor të vitit 2023, së bashku duke shfrytëzuar pozitat që kishin me dashje dhe duke i keqpërdorur ato pozita, kishin bartur një shumë prej 7 mijë e 961 eurove një qytetari, kinse ky i fundit si i autorizuar kishte përfaqësuar një palë tjetër për kompensim të dëmit material për shkak të një aksidenti të trafikut që kishte ndodhur më 24.12.2017. E i njëjti person paraprakisht ishte kompensuar nga BKS për të njëjtin aksident.

Një tjetër transaksion, në mesin e 166 transaksioneve, që dyshohet se kishin kryer Mazreku e Berisha ishte edhe ai me shumën 8 mijë e 540 euro për personin A. B., kinse ky i fundit si i autorizuar kishte përfaqësuar një palë tjetër- E. H., për kompensim të dëmit për një aksident trafiku që kishte ndodhur më 06.09.2019. E. H, paraprakisht ishte kompensuar për aksidentin që kishte ndodhur.

Më 10 gusht 2022, Mazreku e Berisha po dyshohen se në kundërshtim të rregullave dhe procedurave të brendshme, pa dokumentacion kishin kryer dy transfere bankare të pajustifikuara kinse për kompensim të dëmit, njëra shumë 4 mijë e 641 euro e tjetra 6 mijë e 891 euro,kallxo.

Më 11 gusht 2022, dy pozitat kryesore të BKS, Mazreku e Berisha dyshohen se kishin realizuar të njëjtën procedurë si më lartë te i njëjti person vetëm se me vlerë tjetër, dhe atë prej 5 mijë e 481 eurove, qytetares V. H.

Më 30 gusht 2022, Mazreku e Berisha sërish dyshohet se kishin kryer transaksione bankare të pajustifikuara në shumë prej 7 mijë e 430 eurove dhe 6 mijë e 680 eurove nga llogaria e BKS në atë të qytetarit B. H., kinse ky i fundit ishte autorizuar nga një familje për kompensim për aksidentin e trafikut të datës 24.12.2017.

Po ashtu një tjetër rast i datës 30 gusht 2022 është edhe ai i kompensimit në mënyrë të jashtëligjshme të dëmit për një aksident i cili kishte ndodhur në vitin 2011, por kësaj radhe kompensimi ishte bërë te një kompani.

Shuma që ishte transferuar ishte 3 mijë e 950 euro.

Një shumë prej 4 mijë e 606 eurove ishte kompensuar më 30 gusht 2022 ndaj një qytetareje për një aksident trafiku që kishte ndodhur në gusht të 2010-tës.

Transaksione të tjera bankare në vlera prej 6 mijë e 181 eurove për një aksident të 2009-s, 3 mijë e 346 euro për një aksident të 2006-tës, ishin bartur te qytetarët më 30 gusht 2022. Pra të gjitha këto transaksione që ishin bartur siç pretendon Prokuroria në Prizren nga llogaria e BKS, paraprakisht të njëjtit qytetarë ishin kompensuar më parë.

Mazreku e Berisha po dyshohet se pasi kishin transferuar paratë te qytetarët, i kishin takuar të njëjtit e nga ta dhe kishin përfituar shuma të majshme parash kash.

Më datë 8 shtator 2022, Prokuroria në Prizren pretendon se janë kryer tri transfere të jashtëligjshme nga Mazreku e Berisha. Një shumë e kompensuar ndaj një qytetari ishte 4 mijë e 289 eurove, një tjetër 7 mijë e 468 eurove dhe e treta 5 mijë e 497 eurove. Aksidentet kishin ndodhur në vitet 2014-2016 por që qytetarët ishin kompensuar dy herë për të njëjtat aksidente.

Përgjatë shtatorit të 2022-tës, 56 mijë e 287 euro u ishin kompensuar dhe transferuar qytetarëve të ndryshëm të cilët tashmë janë edhe të dyshuar të prokurorisë për pranimin e kompensimeve të dyfishta në formë të jashtëligjshme nga Mazreku e Berisha. Aksidentet kishin ndodhur përgjatë viteve 2009-2016 dhe të gjithë palët paraprakisht kishin marrë kompensimet nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Përgjatë muajve tetor-nëntor dhe dhjetor, Mazreku e Berisha jashtëligjshëm dyshohen se kishin transferuar 151 mijë e 530 euro te qytetarë të ndryshëm si kompensime për dëmet e shkaktuara në aksidente të trafikut. Edhe në këto raste të njëjtit paraprakisht kishin qenë të kompensuar nga Byroja e Sigurimeve, por transaksionet ishin bërë jashtëligjshëm nga ish drejtori ekzekutiv dhe ai i financave të BKS.

Edhe përgjatë vitit 2023, dosja e prokurorisë flet për qindra mijëra euro të transferuara në xhirollogari të qytetarëve në emër të kompensimit për dëmet materiale në aksidente trafiku, kompensime këto që pretendohet se janë bërë kundërligjshëm pasi të njëjtit qytetarë ishin kompensuar më parë me të njëjtat shuma të parave.

Një çështje që është përmendur në dosje është edhe ajo për shumën totale që dyshohet se kishin transferuar në mënyrë të pajustifikuar dhe pa dokumentacione Mazreku e Berisha. Përgjatë periudhës korrik 2022 deri në tetor 2023, 1 milionë e 43 mijë e 284 euro pretendohet se është dëmi që kanë shkaktuar ish-drejtorët e Byrosë së Sigurimeve.

Përveç transaksioneve veprimtaria e Mazrekut e Berishës sipas prokurorisë nuk ndalon. Në dosje të prokurorisë pretendohet se Berisha mori pjesë edhe në falsifikime të dokumenteve në mënyrë që të kryhej kompensimi i dëmit për aksidentet e trafikut.

Ujdi fiktive jashtëgjyqësore, dokumente të falsifikuara janë marrëveshjet që pretendohet se janë bërë nga Mazreku e Berisha me qytetarë të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit të përfitojnë pagesa e më pas të ndahen shumat e parave në kash për dy ish drejtorët.

Dy ish drejtorët e Byrosë, njëri ekzekutiv- Sami Mazreku, e tjetri i financave- Valon Berisha, po dyshohen për keqpërdorim të besimit në vazhdimësi, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në pjesën e ujdive e marrëveshjeve, dosja tregon se kishte marrë pjesë Valon Berisha ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimeve, ndërsa miratimin për transfere e kishte dhënë edhe Mazreku si Drejtor Ekzekutiv.

Tetë prokurorë në koordinim dhe udhëheqje të kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu morën pjesë në aksionin dhe bastisjet masive që u realizuan më 8 janar 2026.

Rreth 400 specialë, hetues të krimeve ekonomike e njësi tjera morën pjesë në aksionin e gjerë ku cak ishin bastisjet në më shumë se 40 lokacione.

Nga 47 persona të dyshuar për keqpërdorimet me mjetet financiare të Byrosë së Sigurimeve, 39 janë arrestuar mes tyre ish drejtorët ai ekzekutiv e financiar si dhe qytetarë. Shatë persona të tjerë janë në kërkim.

“Aksionit të sotëm i kanë paraprirë veprime hetimore nga mars i vitit 2025, duke e parë ndërlikueshmërinë e rastit, si Kryeprokuror, kam vendosur që t`i angazhoj dy prokurorë që të punojnë intensivisht në këtë rast”- tha Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu.

Sipas Kryeziut, për këtë rast janë aplikuar edhe masat e veçanta- fshehta hetimore, cak i bastisjeve kanë qenë edhe pronat e ish drejtorit të BKS-së dhe ish-drejtorit të Departamentit financiar të BKS-së.

Sipas kryeziut ata kanë keqpërdorur autorizimet që kanë marrë nga BKS dhe kanë kryer transaksione të ndryshme ose për vete ose për persona të tjerë.

“Mund të konfirmoj, se këtij aksioni i kanë paraprirë edhe masat e veçanta hetimore. Cak i hetimeve janë ish drejtoi i BKS-së dhe ish drejtori i Departamentit financiar të BKS, që duke keqpërdorur autorizimet nga BKS, ju kanë mundësuar personave të tjerë dhe vetes që të bartin transaksione të ndryshme, kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”- tha tutje kryeziu.

Më tej Kryeprokurori i Prizrenit bëri të ditur se deri në këtë fazë kanë arritur të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta, ku në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore.

“Deri në këtë fazë ne kemi arritur që të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse për përfaqësim si të autorizuar, përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022-2023 përderisa personat tjerë veçse kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e më hershme, vitet 2016-2017.”- tha Kryeprokurori.

“Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione tjera të personat e ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm, dhe kanë bartur shuma të ndryshme, shuma më e vogël ka qenë 6,800 euro me e larta 68 mijë euro”- tha me tej i njëjti.

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka reaguar pas zhvillimit të aksionit i cili u udhëhoq nga Prokuroria Themelore në Prizren, duke treguar se rasti është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”- thuhet në reagimin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.