Marrëveshja Thaçi-Mustafa një lajm i mirë
Mazllum Baraliu thotë të jetë lajm i mirë marrëveshja për zgjedhjet mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, ndonëse mendon se marrëveshjet gjithëpërfshirëse janë më të mira. Sipas tij, kjo marrëveshje ndryshon gjërat lidhur me mocionin e AAK’së.
Lajme
Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe politike Mazllum Baraliu thotë se marrëveshja mes dy liderëve të partive më të mëdha politike në vend, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, që zgjedhjet të mbahen në qershor me reformë të përfunduar, e quan marrëveshje të mirë, por thotë se marrëveshje gjithëpërfshirëse janë edhe më të mira.
Në një intervistë dhënë për RTK, Baraliu tha se kjo marrëveshje ka ndryshuar gjërat për mocionin e dëshiruar nga AAK’ja.
“Marrëveshjet kurdoherë janë të mira, por kur janë gjithëpërfshirëse janë edhe më të mira. Ne kemi nevojë për marrëveshje gjithëpërfshirëse të spektrit politik”.
“Sidoqoftë, është një lajm i mirë që ka marrëveshje mes dy subjekteve më të mëdha politike në vend dhe do të donim që seriozisht të kuptohet çështja e kohës, sepse është momenti i fundit për t’u përgatitur për zgjedhje dhe për të përfunduar reforma zgjedhore”.
Baraliu mendon se kjo marrëveshje i ndryshon punët lidhur me nismën e AAK’së për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë.
“Varet nga numrat nga votat, tashmë shihet që ai mocion do të mund të ishte ngritur nga partitë opozitare dhe me shumësinë e votave të këtyre eventualisht”.
“Tashmë kemi marrëveshje të partisë kryesore në pozitë dhe partisë më të madhe në opozitë dhe kjo do të mund të ndryshojë çështjen”.
“Prandaj është mirë që me konsensus të shkohet drejt reformës zgjedhore dhe pastaj me marrëveshje apo me shumësi votash të votohet ligji dhe të caktohen datat sa më parë ashtu siç është orientimi si duket që nga gjysma e vitit të ketë zgjedhje”.
Tutje, duke folur për RTK, Mazllum Baraliu beson se reforma zgjedhore mund të kryhet deri në muajin mars. Ai thotë se tashmë është momenti i fundit për t’u bërë reforma.
“Është shumë reale dhe është shumë e mundur. Ka qenë e mundur edhe më parë, që 3 vite të reformës por ja që ka munguar vullneti dhe gatishmëria e disa subjekteve politike”.
“Pra ka munguar konsensusi”.
“Tashmë besoj se është momenti i fundit që vërtet të përfundojmë reformën dhe me reformë të hyhet në zgjedhje dhe ato të mbahen me një konsensus”.
Baraliu thotë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për krijimin e një imazhi më të mirë për Kosovën. Ai thotë se KQZ do të duhej të ishte më e përgatitur që të informojë dhe vetëdijesojnë opinionin.
“KQZ do të duhej të ishte e përgatitur vazhdimisht kurdoherë edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe të parakohshme, sepse me ligj e ka që të jetë e përgatitur kurdoherë”.
“Ata janë deklaruar disa herë se janë të gatshëm të mbajnë zgjedhje kurdoherë”.
“Kemi nevojë për një imazh edhe më të mirë që ta ngrisim edhe më shumë prej zgjedhjeve lokale, imazh më të mirë për Kosovën, për proceset integruese në vend”.
“Këto zgjedhje kësaj radhe janë shumë të rëndësishme, sepse do të duhej të ketë avancime nga qytetarët për një qeverisje më të mirë”, tha për RTK, Mazllum Baraliu.