Marrëveshja Shqipëri-Serbi për hapjen e Konsullatave, Liburn Aliu kritikon ata që po e kundërshtojnë: Duke sulmuar Shkodrën, po i bëjmë dëm Bujanocit
Liburn Aliu ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, duke e cilësuar debatin e krijuar si një kurth politik që, sipas tij, dëmton interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përmes një postimi në Facebook, Aliu shpërndau analizën e Latif Mustafës, ndërsa veçoi mesazhin…
Lajme
Liburn Aliu ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, duke e cilësuar debatin e krijuar si një kurth politik që, sipas tij, dëmton interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu shpërndau analizën e Latif Mustafës, ndërsa veçoi mesazhin se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka zhvendosur me qëllim debatin publik nga nevoja për një konsullatë shqiptare në Bujanoc drejt kundërshtimeve për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, transmeton lajmi.net.
“Marko Gjuriq, e rrëzoi perden para aktit të fundit. Ai, për ta pamundësuar një konsullatë Shqiptare në Bujanoc, e hodhi balonin me ajër, për një konsullatë në Shkodër. Krijimi i një binomi të tillë fallco, e arriu efektin. Ne vetë shqiptarët, duke i rënë Shkodrës po i bjemë Bujanocit”, ka shkruar Aliu.
Reagimi i tij vjen pasi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, nënshkruan një marrëveshje që parasheh hapjen e një konsullate të Shqipërisë në Bujanoc dhe një konsullate të Serbisë në Shkodër.
Në analizën e shpërndarë nga Aliu, autori Latif Mustafa argumenton se krijimi i debatit rreth konsullatës serbe në Shkodër ka lënë në plan të dytë çështjen që ai e konsideron shumë më të rëndësishme – praninë institucionale të Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Sipas tij, një konsullatë shqiptare në Bujanoc do të kishte rëndësi politike, diplomatike dhe kombëtare për shqiptarët e atjeshëm, të cilët vazhdojnë të përballen me sfida në ushtrimin e të drejtave të tyre.
Mustafa vlerëson se debati publik është zhvendosur në një drejtim që i shërben interesave të Serbisë, ndërsa thekson se prania konsullore e Shqipërisë në Bujanoc tejkalon funksionet klasike diplomatike dhe përbën një mbështetje të rëndësishme institucionale për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës./lajmi.net/