Marco van Kasami

Pajtim Kasami realizoi një gol që pa dyshim do të jetë konkurrent për golin e vitit, derisa Fulham fitoi 4-1 ndaj Crystal Palace, në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Premierligë të hënën mbrëma. Mesfushori shqiptar shënoi gol të mrekullueshëm, që sipas menaxherit të Fulhamit, Marin Jol ishte edhe më i bukur se…

Sport

21/10/2013 23:09

Pajtim Kasami realizoi një gol që pa dyshim do të jetë konkurrent për golin e vitit, derisa Fulham fitoi 4-1 ndaj Crystal Palace, në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Premierligë të hënën mbrëma.

Mesfushori shqiptar shënoi gol të mrekullueshëm, që sipas menaxherit të Fulhamit, Marin Jol ishte edhe më i bukur se ai i famshmi nga legjenda holandeze, Marco van Basten.

“Goli që pranuam ishte i tmerrshëm por ne u kundërpërgjigjëm mirë dhe ishte një gol fantastik nga Pajtim Kasami, me këmbën e tij të mbrapshtë. Ishte më i mirë se që mund të mendojnë njerëzit sepse ai u desh ta kontrollonte topin me gjoks e pastaj e ngriti në këndin tjetër. Goli i Marco van Bastenit ishte krejt ndryshe por ju nuk mund t’i krahasoni ata, ky ishte më i mirë. Është një prej golave më të bukur të sezonit”, deklaroi Jol.

Kurse, edhe Kasami pranoi se kurrë më parë nuk kishte realizuar gol më të bukur.

“Të jem i sinqertë kurrë nuk kam shënuar gol më të bukur. Kam vrapuar në hapësirë dhe pasimi ishte perfekt. Ishte një gol i jashtëzakonshëm dhe jam vërtetë i kënaqur”, u shpreh reprezentuesi zviceran.

Kasami është shqiptari i dyti që bëri bujë në Premierligë këtë sezon pas Adnan Januzajt i cili ka shkëlqyer me paraqitjet dhe golat e tij për Manchester Unitedin.