Maqedonisë i kërkohet zbatimin e ligjit për pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për masat juridike të Maqedonisë për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj, në luftërat në Siri dhe Irak.

Lajme

21/10/2014 11:09

Ambasadori i posaçëm amerikan për krizën në Lindjen e Afërt, Robert Bradke, pas takimit me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, Adnan Jashari, theksoi se është me rëndësi që ligji i miratuar para pak javësh, të zbatohet në praktikë.

“Maqedonia është partner i shkëlqyer, dhe punon bashkë me ne lidhur me këtë çështje. E mirëpres atë që tha Ministri për Ligjin e ri, por më e rëndësishme është se si ligji do të zbatohet sepse është një gjë të kesh ligj në letër, dhe është gjë tjetër se si ai ligj zbatohet në praktikë”, deklaroi Robert Bradke, transmeton Alsat.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Adnan Jashari tha se duke parandaluar shkuarjen e shtetasve të Maqedonisë në këto konflikte të huaja, tentohet të mbrohet edhe imazhi i islamit dhe kombësisë së luftëtarëve potencial.

Maqedonia është një prej 80 shteteve, qytetarë të të cilave marrin pjesë në organizatat “Shteti Islamik” dhe “Al Nusra”, të cilat luftohen nga forcat perëndimore.

Të dy organizatat u themeluan në rrjedhën e kryengritjes siriane kundër regjimit të rreptë të Bashar Al Asadit.

Me kalimin e kohës, “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS) okupoi territor të madh në këto dy shtete, duke u shtrirë nga kufiri me Turqinë, deri në afërsi të Bagdadit, transmeton Alsat.