Maqedonia vazhdon ta shfrytëzojë taksën 100%, përpunon grurin serb dhe e fut në Kosovë

Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e miellit e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht. Ndërkohë, tregtarët kosovarë e kanë rritur blerjen nga disa tregje tjera në rajon dhe Evropë, pasi rezervat e prodhimit vendore janë shpenzuar.

Lajme

03/05/2019 15:34

Maqedonia nuk është prodhues i grurit, por tashmë është kthyer në importuesin kryesor të miellit në Kosovë. Ata po e blejnë grurin në Serbi, e përpunojnë në Maqedoni e po e importojnë në Kosovë. Të dhënat e Doganës së Kosovës për tremujore e parë janar –mars 2019, tregojnë se importi i miellit me Maqedoninë është rritur dukshëm, ndërkohë miell po blihet edhe në Austri, Hungari e Kroaci, shkruan lajmi.net.

Qeverinë e Kosovës nuk po e pengon se gruri serb po përpunohet në Maqedoni e po shitet në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi, ka thënë për lajmi.net se mielli nuk është shtrenjtuar më pas vendosjes së taksës. Ai thotë, se gruri kur të përpunohet e humbë origjinën.

“Mielli që importohet në Kosovë, pas masave të dhunshme po hynë nga Maqedonia, pasi ai shtet po blenë grurë më shumë në Serbi. Këtë çështje e kemi ngritur, pasi kemi pasur takim edhe me kryeministrin, në të cilin takim ka marr pjesë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, drejtori i Doganës dhe disa akter të tjerë. Sipas deklaratave të tyre, ata kanë thënë se kur të përpunohet gruri e hupë gjenezën etnike. Çmimi patë lëvizur në fillim, patë arritur në 36 euro për 100 kilogram, mandej patë rënë pak. Tash është diku 34 euro, po flas për shitjen me shumicë”, tha Ferizi.

Në Kosovë veprojnë 98 fabrika të miellit. 50 tashmë kanë ndërprerë aktivitetin, kurse mbi 40 të tjera janë duke punuar më rezerva të vogla të grurit. Ndërkohë, fabrikat e miellit janë në obligime shumë të mëdha ndaj qytetarëve, të cilët e kanë deponuar grurin në mullinj për t’u përpunuar.

Për nevojat e Kosovës, për një vit i duhen 410 mijë tonë grurë, kurse në vitet më të suksesshme kemi prodhuar 260 mijë tonë. Çka do të thotë se Kosova vazhdimisht ka pasur nevojë për 141 mijë tonë të importuar.

Derisa në fillim të vit të kaluar në Kosovë kanë hyrë mijëra ton miell nga Serbia, në tremujorin e parë nga Serbia janë blerë vetëm 16 mijë euro.

Statistikat e tremujorit të parë të importit të miellit

Në tre muajt e parë të këtij viti, bizneset që merren me miell kanë importuar këtë produkt nga Maqedonia, Hungaria, Austria, Kroacia, Gjermania, Shqipëria, etj.

Nga Maqedonia ‘miell prej gruri të zakonshëm ose spelt’ është importuar në vlerë prej 650 mijë euro. Po nga ky shtet, ‘miell prej drithërave të tjerë’, janë importuar në vlerë mbi 12 mijë eurove dhe ‘miell prej gruri durum’, mbi 15 mijë euro.

Nga Austria, miell prej  gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 231 mijë eurove.

Hungari: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 292 euro.

Shqipëri: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 15 mijë e 787 euro.

Shqipëri: Miell prej gruri durum, në vlerë prej 36 mijë eurove.

Itali, miell prej gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 15 mijë eurove.

Kroaci, Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 18 mijë eurove.

Kroaci: Malt, jo i pjekur prej gruri në formë mielli, në vlerë 559 mijë euro.

Indonezi: Miell, kokrriza dhe pluhur prej produkteve të kapitullit 8, në vlerë prej 10 mijë e 445 euro.

Vietnam: Miell, kokrriza dhe pluhur prej produkteve të kapitullit 8, në vlerë prej 4502 euro.

Serbi: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt 16 mijë euro.

Kosova shet pak miell

Tregtarët e miellit në Kosovë po eskortojnë nga pak. Të dhënat e Doganës tregojnë për një import solid, që më së shumti realizohet me Shqipërinë.

Në Mali në këtë tremujor është eksportuar miell prej gruri të zakonshëm ose spelt, në vlerë prej 19 mijë  euro.

Shqipëri: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt në vlerë prej 83 mijë eurove.

Republika Qendrore e Afrikës: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt më vlerë prej 12 mijë e 350 eurove.

SHBA: Miell prej gruri durum në vlerë prej 2561 euro.

Shqipëri: Miell, kokrriza dhe pluhur prej produkteve të kapitullit 8, në vlerë prej 750 eurove.

Gjermani: Miell misri me përmbajtje yndyre mbi 1.5 për qind ndaj peshës, në vlerë prej 2600 euro.

Maqedoni: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt në vlerë prej 6625 euro.

Suedi: Miell prej gruri të zakonshëm ose spelt në vlerë prej 4372 euro. /Lajmi.net/