Maqedonia e Veriut mban zgjedhje në mes të pandemisë

Pas 20 ditësh fushatë zgjedhore në të cilën partitë politike dhe koalicionet paraqitën platformat e tyre para qytetarëve, sot në mesnatë në Maqedoninë e Veriut nis heshtja zgjedhore përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara të mbahen të mërkurën.

Lajme

12/07/2020 12:31

Votimi për herë të parë këtë vit do të zgjasë tre ditë për shkak të situatës aktuale të Covid-19.

Nesër do të votojnë ata të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv dhe personat të cilëve u është përcaktuar masa e vetizolimit.

Votimin do ta kryejnë në shtëpi me ndihmën e një këshilli zgjedhor të veçantë të formuar nga KSHZ.

Personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të sëmurët kronikë, të burgosurit e ata të cilët janë në arrest shtëpiak do të votojnë të martën, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Të mërkurën, në ditën e zgjedhjeve, votimi do të fillojë nga ora 07, por do të zgjasë deri në orën 21, pra dy orë më shumë se raundet e mëparshme zgjedhore.

Zgjedhjet mbahen në një situatë të rënduar nga koronavirusi në vend.

Një ditë më parë, Maqedonia e Veriut regjistroi 8 vdekje, në mesin e të cilave edhe ajo e një vajze 24-vjeçare nga Tetova, e cila është njëkohësisht viktima më e re e Covid-19 në vendin fqinj. Sipas burimeve mjekësore, vajza nuk ka pasur asnjë sëmundje tjetër kronike./TCh