Maqedoni e Veriut: Alternativa bëhet pjesë e koalicionit qeveritar

Partia opozitare Alternativa është bërë pjesë e koalicionit qeveritar në RMV. Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi kanë nënshkruar marveshjen 9 pikëshe për hyrjen e Alternativës në Qeveri.

Lajme

06/12/2021 18:49

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se kjo marrëveshje paraqet një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, bisedimet me Bullgarinë dhe për të vazhduar luftën kundër Covid-19 dhe sfidave që priten nga kriza energjetike.

“Vlera e kësaj marrëveshjeje është përballja me sfidat. Gjëja më e rëndësishme është funksionimi i institucioneve dhe përgjegjësia e përcaktuar qartë ndaj qytetarëve. Kjo është e rëndësishme në kohë sfidash në vend dhe më gjerë. Kjo qeveri duhet të japë rezultate në interes të qytetarëve, veçanërisht në kohën kur nevojitet një kurs veprimi euroatlantik”, tha Zaevi.

Gashi: Po hyjmë në qeveri për të ndihmuar vendin

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi duke folur për nëntë pikat e dakorduara me LSDM-në dhe BDI-në si bazë të programit të ri të qeverisë ka konfirmuar zyrtarisht se opozita hyn në qeveri me katër deputetët e saj. Afrim Gashi tha se në qeveri po hyjnë për të ndihmuar shtetin që të dalë nga kriza.

“Asnjëherë nuk kemi thënë fjalë të rënda për këtë qeveri, por kemi pasur vërejtjet e tona.Unë nuk mendoj se qeveria ku futemi është perfekte, përndryshe nuk do të kishte nevojë të ishim ne aty. As nuk mendoj që me hyrjen tonë gjithçka do të bëhet qumësht e mjaltë. Është shumë lehtë të kritikoni, kritika është gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Puna më e rëndë është t’i hysh punës, të përveshësh mëngët dhe të zgjidhësh problemet”, tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Ai është zotuar edhe për zbardhjen e një sërë rasteve të montuara politike.

“Për herë të parë ndodh që Qeveria e Maqedonisë do të dërgojë kërkesë zyrtare deri tek Komisioni Evropian, që ata të dërgojnë një grup ekspertësh për të bërë hetim ndërkombëtar të rasteve. Dhe ky është momenti i ri dhe kjo është shpresa jonë që mund të vihet deri te zbardhja e atyre rasteve”, vlerësoi Gashi, raporton DW.

DOM dhe LDP kanë vërejteje për konfiguracionin e ri qeveritar

Kryeministri Zaev duhet t’i informojë partnerët e koalicionit për marrëveshjen e arritur me liderin e Alternativës Afrim Gashi, për hyrjen e tyre në qeveri. Partitë më të vogla të koalicionit LDP dhe DOM kanë disa vërejtje për hyrjen e Alternativës në Qeveri.

“Vendi ka një sfidë të fortë në dhjetor dhe ky është fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Gjithë energjia e aktorëve politikë duhet të drejtohet drejt zgjidhjes së këtij problemi e jo të merremi me pozitat personale dhe vendimet kuadrovike për të cilat padyshim janë dakorduar”, ka tha kryetari i LDP-së Goran Milevski.

VMRO-DPMNE: Alternativa bëhet partner me krimin dhe korrupcionin

Pas hyrjes së Alternativës në Qveri ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas saj, Alternativa në vend që të bëhet korrigjues i vlerave të shtrembëruara, bëhet partner i LSDM-së dhe BDI-së.

“Deri kur partitë e vogla politike që janë pjesë e pushtetit do të jenë ndjekës të verbër të krimit, padrejtësive dhe marrëveshjeve politike që janë në dëm të shtetit. Qytetarët nuk duhet të bien pre e spektakleve të LSDM-së, BDI-së dhe Alternativës, pasi asgjë nuk do të ndryshojë për mirë dhe Maqedonia do të vazhdojë të jetë në fund të të gjitha raporteve vendi më i korruptuar dhe më kriminal ”, thuhet në reagimin e VMRO-së.

Me hyrjen në qeveri , Alternativa zgjeron shumicën parlamentare me katër deputetë ndërsa merr dy poste ministrore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Teknologjisë Informative dhe Administratës, si dhe një  ministër pa portofol, të angazhuar për diasporën.