Maqedonci përmendi një bashkëpunim të mundshëm për blerje armatimi me Shqipërinë dhe Kroacinë, ministri kroat e sheh si “të vështirë” për Kosovën
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiq, ka konfirmuar për opinionin publik se një pilot i Forcave të Armatosura Kroate është përfshirë në një aferë serioze spiunazhi që lidhet me Serbinë dhe Listën Serbe në Kosovë. Edhe pse ka theksuar se piloti nuk ka pasur qasje në informacione të klasifikuara që mund të…

Lajme
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiq, ka konfirmuar për opinionin publik se një pilot i Forcave të Armatosura Kroate është përfshirë në një aferë serioze spiunazhi që lidhet me Serbinë dhe Listën Serbe në Kosovë. Edhe pse ka theksuar se piloti nuk ka pasur qasje në informacione të klasifikuara që mund të rrezikonin sigurinë kombëtare, Anushiq ka pranuar se reputacioni i ushtrisë është dëmtuar.
“Bëhet fjalë për një incident shumë serioz që duhet të parandalohet me çdo kusht. Procedura disiplinore ndaj oficerit do të ndiqet sipas ligjit, ndërkohë që kam kërkuar rritje të mbikëqyrjes nga ana e Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (VSOA),” deklaroi ministri kroat.
Duke komentuar raportimet që Franca ka urdhëruar spitalet e saj të jenë të gatshme për të pritur deri në 50 mijë të plagosur – si pjesë e një skenari lufte të mundshme mes NATO-s dhe Rusisë deri në mars – Anushiq theksoi se një vendim konkret për konflikt nuk ekziston.
“NATO duhet të jetë e përgatitur, por askush nuk ka vendosur afat apo ka marrë një vendim për luftë. Të gjithë përpiqemi të shmangim përshkallëzimin përmes rrugëve diplomatike,” shtoi ai.
Sa i përket deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për një bashkëpunim të mundshëm trepalësh në fushën e blerjes së armatimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, Anushiq e bëri të qartë se një marrëveshje e tillë mund të ndodhë vetëm mes Kroacisë dhe Shqipërisë, pasi të dyja janë anëtare të NATO-s.
“Kosova ka kushte të tjera për blerjen e armëve dhe është vështirë të formohet një koalicion i përbashkët për blerje me të treja shtetet,” theksoi ai.
Ministri kroat ka reaguar gjithashtu ndaj akuzave nga Serbia, pas deklaratës së Kryeministrit Plenković se “Serbia është në prag të luftës civile”. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabić, e kishte interpretuar këtë si provokim dhe dëshirë nga ana e Kroacisë për destabilizimin e Serbisë.
“Kroacia nuk ka asnjë lidhje me problemet e brendshme të Serbisë. Serbia ka probleme të mëdha politike dhe gishtin vazhdimisht e drejton nga Zagrebi për çdo dështim të vetin. Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe ka ofruar gjithmonë mbështetje për integrimin e Serbisë në strukturat euroatlantike,” u shpreh Anushiq.
Në përmbyllje, ai i uroi Serbisë stabilitet dhe orientim drejt Perëndimit: “Uroj që një ditë edhe Serbia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe të stabilizohet ky rajon i ndjeshëm i Europës.” /Vijesti