Maqedonci në takimin ministror të CEDC-së në Slloveni, rikonfirmon orientimin strategjik të Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit, në Slloveni. Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci rikonfirmoi orientimin strategjik të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke…
Lajme
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit, në Slloveni.
Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci rikonfirmoi orientimin strategjik të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit.
Në fjalën e tij, ministri Maqedonci theksoi se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Ai prezantoi progresin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe bashkëvepruese, si dhe prioritetet për përmbylljen e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Në kuadër të takimit, ministri Maqedonci zhvilloi edhe takime bilaterale me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Jaromír Zůna, si dhe me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Sllovenisë, Valentin Hajdinjak.
Në takimin me ministrin çek, u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes, transferimin e teknologjisë, si dhe trajnimin dhe edukimin ushtarak.
Ndërkaq, në takimin me homologun slloven, u theksua mbështetja e Republikës së Sllovenisë për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ministri Maqedonci e njoftoi ministrin Hajdinjak për të arriturat e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe synimet për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Ministri Hajdinjak shprehu gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, si dhe për vazhdimin e kontributit të Sllovenisë në siguri në e Kosovës përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.
Pjesëmarrja në takimin ministror të CEDC-së dhe zhvillimi i takimeve bilaterale me partnerët evropianë dëshmojnë angazhimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, forcimin e partneriteteve strategjike dhe kontributin në sigurinë rajonale e evropiane.