Manxhuka i VV-së nuk e komentoi zgjedhjen e Bashës në krye të Kuvendit, sot i jep lëvdata Haxhiut për reformat në drejtësi

Me përfundimin e mandatit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, LVV ka theksuar rolin kyç të saj në një nga betejat më të mëdha të qeverisjes së parë, reformën në drejtësi. Në një reagim publik, zëdhënësi i VV-së Arlind Manxhuka, vlerësoi punën e ministres Haxhiu si thelbësore në shtyrjen përpara të ndryshimeve strukturore në sistemin…

Lajme

27/08/2025 16:32

Me përfundimin e mandatit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, LVV ka theksuar rolin kyç të saj në një nga betejat më të mëdha të qeverisjes së parë, reformën në drejtësi.

Në një reagim publik, zëdhënësi i VV-së Arlind Manxhuka, vlerësoi punën e ministres Haxhiu si thelbësore në shtyrjen përpara të ndryshimeve strukturore në sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton lajmi.net

“Është evidente në njërën anë angazhimi i madh i Ministrisë së Drejtësisë, ministres së kësaj ministrie Albulena Haxhiu që praktikisht nga ana e saj ka iniciuar, zhvilluar e përmbyllur dokumentet që ishin thelbi i kësaj reforme. Pjesa dërrmuese janë dërguar nga opozita në Gjykatë Kushtetuese për t’u vonuar e bllokuar sot e asaj dite”, shkruan Manxhuka.

Sipas tij, pavarësisht vonesave e bllokadave të shkaktuara nga opozita përmes dërgimit të ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, puna e bërë gjatë këtij mandati përfshin dokumente dhe iniciativa me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të thellë në sistemin e drejtësisë:

Pakon për Vettingun;

Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme;

Ligjin për Këshillin Prokurorial;

Reformën për adresimin e krimeve të luftës (e jetësuar).

Manxhuka theksoi se këto nuk janë thjesht katër dokumente ligjore, por një paketë reformash që prekin thelbësisht drejtësinë në vend.

“Këto reforma i kanë bllokuar e vonuar, por mandati i radhës do të jetë koha kur ato do të zhbllokohen e frytet e kësaj pune do të jenë evidente”, përfundon zëdhënësi i VV-së.

Ndërkohë, Manxhuka nuk ka komentuar mbi zgjedhjen e Dimal Basha-s si Kryetar i Kuvendit të Kosovës – një vendim që ka shkaktuar diskutime brenda dhe jashtë partisë./Lajmi.net/