​Mangani sivjet shfaqet më herët në Badoc, qytetarët: Më shumë shpenzojmë për ujë se ushqime

Për të tretin vit me radhë, në liqenin e Badocit është evidentuar ngritja e vlerave të manganit, i cili ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm, por që sivjet është shfaqur më herët. KRU Prishtina ka apeluar qytetarët të mos e përdorin ujin për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Qytetarët ankohen se po detyrohen të…

Lajme

04/09/2025 15:02

Për të tretin vit me radhë, në liqenin e Badocit është evidentuar ngritja e vlerave të manganit, i cili ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm, por që sivjet është shfaqur më herët. KRU Prishtina ka apeluar qytetarët të mos e përdorin ujin për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Qytetarët ankohen se po detyrohen të blejnë ujin e pijshëm dhe kjo po iu kushton më shumë se ushqimet.

Në rrugën “Sokol Sopi”, qytetari Hysen Ramadani ka shprehur për KosovaPress pakënaqësinë e tij lidhur me mungesën e investimeve nga ana e ujësjellësit KRU Prishtina. Ani pse Ramadani paguan ujin rregullisht, ai ka thënë se duhet të furnizohet me ujë të blerë.

“Këta të ujësjellësit i kanë (fajet) që nuk bëjnë investim se këta vetëm dinë t’i marrin paratë, po investim nuk bëjnë. Rrjetin e kanë të moçëm, këtyre gypat iu mbushën myshk, e këta duhet me i dërguar gypat nga fundi lart, po nuk i çojnë, se duhet investim i madh. Shumë i bie shpenzim, as gjellë, as asgjë nuk mund ta përdorësh ujin e ujësjellësit…Nuk mund të llogarisësh, ujin e paguajmë rregullisht dhe duhet të blej ujë”, ka thënë Ramadani.

Një situatë e ngjashme është edhe në rrugën “Muharrem Fejza”, ku qytetari Shaban Pllana ka theksuar rrezikshmërinë që paraqet mangani. Pllana, ka thënë se ai shpenzon dy- tre euro në ditë për ujë, e sipas tij më shumë harxhime se për ushqim.

“Është komponenti më i rrezikshëm për jetën, prandaj ne duhet të përdorim këtë dhe në mungesë të ujit të pijshëm që kemi nëpër banesa tona duhet ta marrin në autobot. Është mirë që pushteti të marrë masa, së pari shkakun a është nga natyra apo dora e njeriut, është e mundshme… 1:00 Dy- tri euro apo një euro e gjysmë për bidon, harxhojmë më shumë para për ujë sesa për ushqime”, ka theksuar Pllana.

Nga aspekti profesional, eksperti i ujërave Skender Bublaku ka shpjeguar se fenomeni i pranisë së manganit në ujin e liqenit të Badocit është i përsëritur dhe i lidhur ngushtë me faktorë natyrorë e klimatikë. Ai ka paralajmëruar se ky fenomen do të shfaqet edhe në vitet e ardhshme.

“Fenomeni i rritjes së vlerës së manganit në liqen dhe reflektimin në ujin e pijes, duket që është një fenomen që përsëritet tash e disa vite. Natyra po na tregon se ndryshimet klimatike por edhe vjetërsia e liqenit janë prej faktorëve kryesorë që njëfarë forme shfaqen. Po na paralajmëron se ne duhet të marrim masa që ky fenomen të minimizohet në shfaqjen e tij përmes aplikimit të masave të ndryshme që arrin ta zvogëlojë. 1:29 Mund të themi se është e konfirmuar që ky fenomen do të shfaqet edhe në vazhdimësi”, ka thënë Bublaku.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku ka bërë të ditur se në qershor të 2024 kanë kërkuar nga Institutin e Kimisë të ndihmojë në hulumtimin për gjetjen e faktorëve të rritjes së vlerës së manganit, por deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne jemi rekomanduar nga IKSHPK që të zvogëlojmë prodhimin e ujit, në mënyrë që ta ruajmë cilësinë e ujit, të bëjmë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare, gjë që po ndodh, si dhe shpërndarjen e ujit prej autoboteve. Para gjashtë muajve në qershor të vitit 2024 kemi pasur takim edhe me Institutin e Kimisë dhe u kemi bërë kërkesë të na ndihmojnë në hulumtimin se çfarë po e shkakton konkretisht rritjen e përqendrimit të manganit, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje… 1:58 Mund të ketë nivel më të ulët në mëngjes (të manganit), por në mbrëmje niveli është më i lartë. Qytetarët nuk duhet ta konsumojnë ujin për pije, përgatitjen e ushqimit, pasi mangani është element kimik dhe nuk largohet me vlimin e ujit. Ata duhet ta përdorin ujin vetëm për higjienë personale dhe ambientale”, ka thënë Mjeku.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK ka apeluar te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

IKSHPK ka theksuar se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.

Pjesët e vendbanimeve që përballen me këtë problem janë Bregu i Diellit, Çagllavica, Fshati Ndërkombëtar, Graçanica, Hajvalia, Kishnica, Kodrina, Lagjja e Spitalit, Lagjja jonë, Lagjja NIC, Qëndresa, Lagjja e Studentëve, Llapnasella, Lugina e Thellë, Marigona Hill, Mati 1, rruga Muharrem Fejza, Preoci, Prishtina e Re, rezidenca Royal Green, Shashkoci, Sushica, Ulpiana e Re, Xhambazët dhe Veterniku.

Mangani është element kimik natyror, që gjendet në tokë, shkëmbinj, ujë dhe bimë. Është një metal i rëndë, i domosdoshëm për trupin e njeriut në sasi shumë të vogla, por kur gjendet në sasi të larta në ujë apo ushqim, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.

Ngritja e nivelit të manganit në ujë ndodh zakonisht kur ndërrohen stinët, por sivjet rritja e vlerave të këtij elementi kimik ka ndodhur më herët.