Mandatar i ri për formimin e qeverisë apo zgjedhje, Osmani i ka edhe 2 ditë afat

Edhe dy ditë i kanë mbetur presidentes Osmani që ta caktojë rrugën që do të ndiqet tutje- një përpjekje tjetër për formimin e qeverisë apo zgjedhje. Të premten Osmani mblodhi liderët politikë për të diskutuar se çka më tutje, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta formojë qeverinë. Pas takimit, liderët e…

Lajme

03/11/2025 18:00

Edhe dy ditë i kanë mbetur presidentes Osmani që ta caktojë rrugën që do të ndiqet tutje- një përpjekje tjetër për formimin e qeverisë apo zgjedhje.

Të premten Osmani mblodhi liderët politikë për të diskutuar se çka më tutje, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta formojë qeverinë.

Pas takimit, liderët e ish opozitës u deklaruan për zgjedhje, ndërsa Kurti nuk foli para gazetarëve.

Mirëpo Osmani tha se Kurti i ka kërkuar Osmanit një takim tjetër para se të mbarojë afati i 5 nëntorit.

“Kryetari i Vetëvendosjes ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të më skadojë afati 10-ditor që është përcaktim i mandatarit të dytë dhe pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që i përfaqëson, nëse do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre, mirëpo ne kemi detyrim kushtetues që t’i respektojmë ato afate”, tha Osmani.

Osmani e bëri të ditur që nuk mund ta mandatojë sërish Kurtin, duke u thirrur në konstatimet e aktgjykimeve kushtetuese, por të cilat i duken të “palogjikshme”.

Ajo shtoi se do të bëjë çmos që t’i evitojë zgjedhjet.

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se në takim u bë e qartë që askush nuk mund të krijojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

“Ai në mënyrë të kundërligjshme sipas Gjykatës Supreme është duke vazhduar të jetë në zyrën e kryeministrit dhe është duke marrë vendime të cilat nuk janë në pajtim me ligjin dhe konsideroj se vetëm zgjatja e kësaj situate është arsyeja themelore sepse është e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira ai nuk mundet me bo shumicën”, tha Krasniqi.

Ndërsa, i pari i LDK-së., Lumir Abdixhiku, tha se mbajtja e zgjedhjeve sa më parë shmang krizat eventuale me të cilat potencialisht mund të përballet Kosova.

“Tani i takon presidentes deri më datë 5 të përcaktojë se a ka shumicë a nuk ka shumicë. Patë edhe pretendime nga kryetari i LVV-së që ndoshta duhet provu edhe njëherë por shumica e partive politike që e përbëjnë shumicën shqiptare 52 deputetë ishin të qartë duke deklaruar se nuk ka shumicë”, deklaroi ai.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi data për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nëse  z. Kurti nuk do të kërkonte disa ditë deri më 5, presidentja ka mujt sot me marrë vendim, do të ishte e mundshme 1 dhjetorit, meqë po vonohet deri më 5 atëherë data e parë e mundshme është 7 dhjetor. Data e dytë do të jetë 14, por prapëseprapë presidentja duhet me i respektu afatet kushtetuese”, tha ai.

Kurti në seancën e 26 tetorit nuk arriti t’i marrë 61 votat që janë minimalja e detyrueshme për të marrë timonin e ekzekutivit.