Manchester United pas lojtarit të Ajax, Martinez

Manchester United janë vënë pas qendërmbrojtësit të Ajax, Lisandro Martinez.

Sport

19/05/2022 23:45

Erik ten Hag tashmë ka filluar të shënjestrojë lojtarët për t`i transferuar drejt ‘Old Trafford’ gjatë mërkatos së verës.

Së bashku me teknikun holandez në Mançester pritet të zbarkojnë lojtarë të Ajax, pasi duket se Ten Hag nuk heq dorë nga futbollistët e skuadrës holandeze.

Duke njohur mirë lojtarët që ka pasur nënurdhrat e tij, trajneri i United tashmë kërkon edhe transferimin e qendërmbrojtësit argjentinas, Lisandro Martinez.

Sipas “The Telegraph” 24-vjeçari vlerësohet shumë nga ten Hag, i cili e shikon si shumë të domosdoshëm për të përforcuar repartin e mbrojtjes së ‘Djajve të Kuq’, pasi Martinez është i aftë të luajë në qendër të mbrojtjes, por edhe si mesfushor përcjell lajmi.net.

Argjentinasi ka tre sezone të mbetura në marrëveshjen e tij me Ajaxin dhe vlerësohet në rreth 25 milionë funte./Lajmi.net/