Man City merr vetëm një pikë kundër Crystal Palace, Fernandinho ‘fytyra tragjike’ në ‘Etihad’

Manchester City ka dëshpëruar tifozët e pranishëm në ‘Etihad Stadium’, duke luajtur baras me Crystal Palace.

Sport

18/01/2020 17:54

Crystal Palace, një nga skuadrat që ka hapur më së shumti telashe për ‘Citizens’ në dy vitet e fundit, ka vjedhur edhe sot një pikë në ‘Etihad’, në barazimin 2:2 me Man City, shkruan lajmi.net.

Ishte minuta e 39’ kur Cenk Tosun shënoi për 0:1, duke dërguar skuadrën e Crystal me epërsinë e një goli në pauzën 15 minutëshe.

Në pjesën e dytë City tentoi, por duhej të vinte 10 minutëshi i fundit për të treguar përgjigjet, shkruan lajmi.net.

Sergio Aguero shënoi golin e parë në minutën e 82’, pas asistimit të Gabriel Jesus, për të barazuar shifrat.

Ky gol motivoi vendasit, të cilët edhe një herë gjetën golin, përsëri me Aguero, në minutën e 87’.

Kur mendohej se tri pikët shkojnë për Man City, Fernandinho doli në skenë, duke shënuar në portën e tij, për barazimin 2:2.

Kështu, Man City numëron 48 pikë për pozitën e dytë, duke i dhënë tjetër mundësi të artë Liverpoolit që të thellojë diferencën.

Crystal Palace në anën tjetër ka 30 pikë, dhe renditet në vendin e nëntë në tabelën e kampionatit anglez. /Lajmi.net/