Kuvendi mblidhet nesër për betimin e deputetëve të rinj dhe nënkryetarin e PDK – Mbesin vetëm 9 ditë afat për Presidentin
Partitë kthehen nesër në Kuvend pak më ndryshe, për shkak të aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe me një rrugë më të qartë përpara për zgjedhjen e Presidentit. Kuvendi — konsitutimi i të cilit, siç konstatoi se Gjykata Kushtetuese u bë pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë —…
Lajme
Partitë kthehen nesër në Kuvend pak më ndryshe, për shkak të aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe me një rrugë më të qartë përpara për zgjedhjen e Presidentit.
Kuvendi — konsitutimi i të cilit, siç konstatoi se Gjykata Kushtetuese u bë pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë — do të mblidhet nesër në orën 11:00.
Përfaqësuesit e partive politike u dakorduan të premten që në këtë fillim javë të propozohet për miratim një deklaratë e përbashkët lidhur me aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në seancën e nesërme është në rend dite edhe betimi i deputetëve të rinj, shumë prej të cileve do të zënë vendet e atyre që u përfshinë në poste qeveritare.
Nesër pritet të bëhet edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimi i komisioneve parlamentare.
Pak optimizëm për zgjedhjen e Presidentit, afati po i afrohet skadimit
Konstituimi i Kuvendit me mbi një muaj vonesë dhe zgjedhja e qeverisë së re në të njëjtën ditë më 13 shtator nuk e ka zgjidhur krizën politike në vend.
Ende duhet të zgjidhet Presidenti, dhe për këtë, sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, partitë politike kanë afat vetëm edhe 9 ditë. Dështimi do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të reja parlamentare, që do të ishin të katërtat në dy vjet.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu paralajmëroi të premten se do të ketë takime të reja të kryeministrit Albin Kurti me kryetarë të partive, për të gjetur një dakordim për Presidentin.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha dje se pas aktgjykimit dënues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, vendi është “në rrethana të reja”.
Kështu, ai tha se mbi bazën e këtyre rrethanave, kjo parti mund t’i ndërrojë dhe pështasë qëndrimet “për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”.
PDK-ja më herët ishte tërhequr nga negociatat për formimin e institucioneve me qëndrimin për të qëndruar në opozitë.
Kushtetuesja ka thëně se adati për zgjedhjen e Presidentit “përfundon më 6 tetor 2026”.
Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Me vështirësitë e qarta përpara dhe një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re, Bekim Sejdiu, për të cilin kryeministri, kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishin dakorduar për ta zgjedhur President, u tërhoq.
Zgjedhja e Bekim Sejdiut President u duk e vështirë qysh në fillim, menjëherë pasi Kurti dhe Abdixhiku u dakorduan për të.
LDK-ja të nesërmen kishte mbajtur një mbledhje të grupit parlamentar, në të cilën të paktën gjashtë deputetë të kësaj partie dolën kundër kësaj marrëveshjeje.
Tani, partitë duhet të përpiqen për të gjetur një tjetër emër për President.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President.