​“Malisheva pa rrymë”, LDK premton zgjidhjen e problemit

Lidhja Demokratike e Kosovës, mbajti një tubim zgjedhor në Malishevë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit. Kandidati për kryeministër nga LDK-ja Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin dhe zotimet e partisë së tij në Malishevë. Duke folur para simpatizantëve dhe strukturave të LDK-së, Abdixhiku vlerësoi kontributin e qytetarëve të Malishevës…

Lajme

31/05/2026 16:46

Lidhja Demokratike e Kosovës, mbajti një tubim zgjedhor në Malishevë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin dhe zotimet e partisë së tij në Malishevë. Duke folur para simpatizantëve dhe strukturave të LDK-së, Abdixhiku vlerësoi kontributin e qytetarëve të Malishevës dhe rolin e tyre në mbështetjen e vazhdueshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai u ndal veçanërisht te problematika e furnizimit me energji elektrike në Malishevë, duke kritikuar qeverisjen aktuale për mungesën e investimeve në rrjetin energjetik të kësaj komune. Ai premtoi se një qeveri e udhëhequr nga LDK-ja do të adresojë këtë çështje që në javët e para të mandatit.

“Jeni e vetmja komunë në Kosovë që keni pasur reduktime të energjisë elektrike në vazhdimësi dhe kjo për fajin e një qeverie që përkundër se ka pasur 20 miliardë euro, 20 miliardë euro buxhet për gjashtë vjet e 51% nuk ka arritur të bëjë zgjerimin e rrjetit në Malishevë. Prandaj, më lejoni të zotohem që në javët e para, me ekipin tonë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të përkushtohemi që kjo çështje të marrë fund njëherë e përgjithmonë për Malishevën tonë. Sepse çfarë po kërkoni shumë? Energji elektrike si detyrim bazik i shtetit ndaj njerëzve të vet. Dhe atëherë kur keni pasur energji elektrike në ato pak orë, ju ka ardhur me çmime të rritura, me fatura të fryra tre vite rresht dhe po kështu, në këtë moment, LDK në planin 113 pikësh ka një zotim shumë të thjeshtë, bukur fisnik, ballëhapur e faqebardhë para popullit të Kosovës, çmimet e energjisë elektrike nuk kanë me guxuar me u rritur për as edhe një cent në katër vitet e qeverisë sonë. “, tha Abdixhiku.

Përveç sektorit të energjisë, Abdixhiku paraqiti edhe një sërë zotimesh ekonomike dhe sociale, duke premtuar uljen e kostos së jetesës për qytetarët. Ai tha se LDK-ja synon heqjen e TVSH-së për produktet bazike të konsumit, si mielli, vaji, buka, sheqeri dhe kripa, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për familjet kosovare.

Kandidatja për postin e presidentes, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje për bashkim politik dhe për një drejtim të ri për Kosovën pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Osmani vlerësoi kontributin historik të Malishevës për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar këtë komunë si simbol të qëndresës dhe sakrificës shqiptare.

“Malisheva vërtetë është simbol i qëndresës shqiptare, është një vend ku liria është e simbolizuar në secilën familje dhe ku secila familje ka histori dhe sakrificë. Prandaj sa herë vij këtu ndiej peshën e amanetit që na kanë lënë dëshmorët e martirët dhe heronjtë e kësaj ane. Ata nuk e dhanë jetën që Kosova të jetojë në grindje e në kriza të pafundme. Ata nuk u flijuan që Kosova jonë, atdheu ynë i dashur, të mbetet peng i njerëzve që mbijetojnë vetëm në kriza politike e zgjedhje të njëpasnjëshme. Ata nuk u sakrifikuan bashkë me familjet e tyre që të shohin të rinjtë tanë duke e parë të ardhmen vetëm në mërgim, vetëm duke u larguar nga ky vend. Ata luftuan për një Kosovë të fortë, për një Kosovë të respektuar në botë, për një Kosovë që ecën krenare mes kombeve të lira e për një Kosovë ku rinia të ardhmen e sheh këtu e jo larg saj“, u shpreh Osmani.

Ajo tha se vendi ka nevojë për unitet dhe për një qasje të re qeverisëse që fokusohet në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Sot Kosova ka nevojë për një drejtim dhe një kapitull të ri, një drejtim ku politika flet për zhvillim ekonomik por edhe e zbaton atë që flet, ku politika flet dhe krijon vende të reja të punës, ku politika merret me investime, ku politika merret me shkolla më të mira e shëndetësi më cilësore, ku politika arrin suksese për Kosovën kudo në botë deri në Shtëpinë e Bardhë e jo ankesa e konflikte të pafundme. Unë e di që ju jeni lodhur nga zhurma dhe e di që kërkoni rezultate konkrete, prandaj ju bëj thirrje kërkoni shpresë për veten, për fëmijët tuaj, kujdes më të mirë nga shteti, pleqëri më të dinjitetshme për familjarët tuaj të moshuar, kërkoni një të ardhme shumë më të mirë për rininë e Kosovës, kërkoni dritë për Kosovën tonë. Prandaj edhe bashkë me kandidatin tonë për kryeministër, Lumirin, dhe të gjithë këta kandidatë për deputetë e ju në Malishevë e keni deputetin e ardhshëm, Gezim Hazrollin, ne kemi hyrë të gjithë bashkë në këtë garë me një mision të qartë. Dhe ky mision është që ta bëjmë Kosovën më të fortë, më të zhvilluar e më me perspektivë brenda.”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin LDK-në në zgjedhjet e ardhshme, duke shprehur bindjen se Malisheva do të kontribuojë në fitoren dhe ndryshimin politik që, sipas saj, i nevojitet Kosovës.

Kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Fatmir Ademaj, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha se zgjedhjet e 7 qershorit janë një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe bëri thirrje për mobilizim të plotë në mbështetje të LDK-së.

“Nga sot deri me datën 7 qershor, Malisheva dhe mbarë Kosova e ka një detyrim, e ka një obligim që të mobilizohet pa masë që ne kështu siç jemi sot në festë, të festojmë më 7 qershor me fitoren e madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për bllokada, Kosova ka nevojë për alternativa të reja, Kosova ka nevojë për bashkim. Për bashkim të atyre të cilët e duan këtë vend, kontribuuan për këtë vend edhe në luftë, por gjithashtu kontribuuan edhe pas luftës në shtetndërtimin e Kosovës, të cilën e themeloi presidenti ynë, presidenti Ibrahim Rugova. Më shumë se kurrë ka nevojë ky vend për një qeverisje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse derisa nuk ka qeveri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ta kuptojmë që çdo tre muaj mundemi me shku në zgjedhje. Kështu që, angazhohemi shumë më shumë dhe punojmë që më 7 qershor të fitojmë bindshëm me programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Ademaj.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e veprimtarëve të hershëm të LDK-së dhe kërkoi mbështetje për kandidatin e kësaj partie për deputet, gjeneralin Gzim Hazrolli.

Sipas Ademajt, Malisheva ka një mundësi të rëndësishme që të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës përmes Hazrollit, duke bërë thirrje për unitet rreth programit politik të LDK-së dhe kandidaturave të saj.