Maliqi: Paqja Armeni–Azerbajxhan sinjal i rënies së ndikimit të Moskës; Kosova rrezikon cungim ndërkombëtar pa ndryshim kursi

Politologu Agon Maliqi vlerësoi se marrëveshja e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, e arritur dje në Shtëpinë e Bardhë, është një shenjë tjetër e humbjes së ndikimit të Moskës edhe në “mahallën” e vet. Sipas tij, Donald Trump ka rritur dinamikën e angazhimit për t’u kornizuar si “President i Paqes”, ndërsa më 15 gusht pritet takimi Trump–Putin…

Lajme

09/08/2025 22:57

Politologu Agon Maliqi vlerësoi se marrëveshja e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, e arritur dje në Shtëpinë e Bardhë, është një shenjë tjetër e humbjes së ndikimit të Moskës edhe në “mahallën” e vet.

Sipas tij, Donald Trump ka rritur dinamikën e angazhimit për t’u kornizuar si “President i Paqes”, ndërsa më 15 gusht pritet takimi Trump–Putin në Alaska, ku temë kryesore do të jetë Ukraina dhe rishikimi i plotë i marrëdhënieve SHBA–Rusi, me pasoja të drejtpërdrejta edhe për Ballkanin.

Në këtë kontekst, Maliqi tha se Serbia ka punuar për t’u pozicionuar fort në Washington. Kjo qasje, sipas tij, kulmoi me vizitën e Marko Djuriq në Departamentin e Shtetit dhe takimin me senatorin Marco Rubio, i dyti i këtij lloji për një zyrtar ballkanas pas Maqedonisë së Veriut. Objektivi i Beogradit, vlerëson ai, është të kapitalizojë mbi rikonfigurimet e mundshme në politikën e jashtme amerikane.

Ndryshe nga Serbia, Maliqi argumenton se Kosova po operon pa një arkitekturë të qartë politike në nivel të lartë. Me mungesë të një qeverie legjitime dhe me Presidencë në skadim të mandatit, Prishtina nuk ka një agjendë të përbashkët strategjike në Uashington.

“Gjatë kësaj periudhe Serbia ka punuar për t’u pozicionuar fort në Washington, gjë që kulmoi me vizitën e Marko Djuriq në Departamentin e Shtetit, i dyti takim i një zyrtari ballkanas me Marco Rubion (pas Maqedonise se Veriut). Kosova ndërkohë në mungesë të një qeverie legjitime dhe me Presidencë në skadim të mandatit, nuk ka agjendë të përbashkët politike të nivelit të lartë. Ka vetëm vazhdimësi të bashkëpunimit me Pentagonin për FSK, diskutime të reja për prodhimin e përbashkët të armëve, si dhe vazhdimësi në projekte ekonomike si ai me MCC. Këto sado që janë pozitive nuk duhet të merren si shenjë e ndonjë përafrimi të nivelit të lartë politik, janë thjesht vazhdimësi e përkrahjes së ShBA për kapacitetet e Kosovës.” – shkroi ai.

Maliqi theksoi se nevoja urgjente e Kosovës është mbështetja politike e ShBA për njohje ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet anëtare të NATO-s, si dhe shtyrja drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë që do ta zhbllokonte vendin në arenën globale. Ai vlerëson se një mbështetje e tillë nuk do të vijë me kursin dhe lidershipin aktual, të cilët “i shohin gjërat përmbys” dhe kanë ndjekur një qasje populiste ndaj veriut.

“Ajo për të cilën Kosova ka nevojë është mbështetja politike e ShBA për njohjen, sidomos nga vendet anëtare të NATO, dhe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë që na zhbllokon ndërkombëtarisht. E këte gjë Kosova nuk do ta marrë me kursin dhe lidershipin e deritashëm politik i cili gjërat i sheh përmbys. Në fakt, kush merr vesh në këto punë ka vite që paralajmëron se fatura e qasjes populiste ndaj veriut është cungimi ndërkombëtar i Kosovës dhe dorëzimi i aleatit tonë kryesor në duart e Beogradit.”