Maliqi kritikon largimin e qytetarëve dhe rezultatet e PISA-s: Sovraniteti nuk është territori, por njerëzit brenda tij
Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar lidhur me largimin e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe rezultatet e Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA. Në një postim, Maliqi ka cituar të dhëna të Eurostatit, sipas të cilave 43,747 shtetas të Kosovës gjatë vitit të kaluar kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në…
Lajme
Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar lidhur me largimin e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe rezultatet e Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA.
Në një postim, Maliqi ka cituar të dhëna të Eurostatit, sipas të cilave 43,747 shtetas të Kosovës gjatë vitit të kaluar kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi në vendet e BE-së. Ai e ka krahasuar këtë shifër me numrin e banorëve të Komunës së Istogut, transmeton lajmi.net.
“Pra, nga Kosova brenda vitit u largua një numër njerëzish sa thuajse e gjithë komuna e Istogut”, ka shkruar Maliqi.
Duke iu referuar rezultateve të PISA-s, analisti ka thënë se Kosova “për të disatën herë radhazi shënon prapakthim ose vendnumërim”.
Sipas tij, përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’i atribuohet vetëm keqpërdorimit monetar, por edhe, siç është shprehur ai, “hajnisë së zemrave dhe mendjeve”, që ka ndikuar në përcaktimin e prioriteteve të vendit.
Maliqi ka kritikuar atë që e quan “agjendë të popullizmit sovranist”, duke e akuzuar atë për nxitje të frikës, izolimit dhe një forme të solidaritetit që, sipas tij, nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët.
Në fund të reagimit, ai u është drejtuar atyre që, sipas tij, e shfaqin patriotizmin kryesisht përmes retorikës.
“Të dashur njerëz me gojën përplot me patriotizëm: sovraniteti nuk është territori, por njerëzit brenda tij!”, ka përfunduar Maliqi.