​LVV mbron kandidaturën e Haxhiut, opozita i qëndron aktgjykimit të Kushtetueses

Pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik, nesër me fillim nga ora 11:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për vazhdimin e seancës konstituive. Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kritika për këtë aktgjykim dhe vetë Gjykatën Kushtetuese, dy partitë e tjera politike – Partia Demokratike e Kosovës dhe…

Lajme

19/08/2025 18:04

Pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik, nesër me fillim nga ora 11:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për vazhdimin e seancës konstituive. Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kritika për këtë aktgjykim dhe vetë Gjykatën Kushtetuese, dy partitë e tjera politike – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – besojnë se ky aktgjykim i hap rrugë zhbllokimit të situatës politike.

Në aktgjykimin e publikuar të hënën nga Gjykata Kushtetuese thuhet se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë. Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, konsideron që Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e djeshëm për bllokadën politike “nuk e ka respektuar vetën”, madje shton se kjo gjykatë po vepron për favore politike.

Kryeziu-Hyseni thekson se si çdo vendim tjetër, edhe këtë vendim si Lëvizje Vetëvendosje do ta respektojnë.

“Ata që nuk e kanë respektuar vetën janë vetë Gjykata Kushtetuese, duke nxjerr një vendim të tillë i cili kërkon që procedura të rikthehet tek votimi i hapur, ndërkohë që mos të harrojmë ta përmendim që po e njëjta në të kaluarën kishte thënë që votimi i hapur dhe ai i fshehur janë dy mënyra nëpërmjet të cilave mund të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Ne si Vetëvendosje nuk ka ndodhur që nuk e kemi respektuar ndonjëherë vendimin e gjykatës lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, përkundrazi mendoj se jemi të vetmit deputetë që kemi qenë duke vepruar në bazë të asaj çfarë kanë rekomanduar aktvendimet e gjykatës dhe ky i fundit që ndërlidhet me situatën aktuale… Më vjen keq që Gjykata Kushtetuese vepron për favore politike për përmbushjen e disa favoreve të disa partive politike e si rezultat bie ndesh me qëndrimet e veta që ka pasur në të kaluarën… Lëvizja Vetëvendosje është aty për t’iu përgjigjur nevojës që vendi ynë ka për të konstituar Kuvendin dhe le të shpresojmë që pas këtij pushimi të imponuar deputetët e partive opozitare të cilët në fakt e kanë shkaktuar bllokadën dhe të cilët duket se nëpërmjet deklaratave të tyre se janë të interesuar për ta vazhduar edhe më tej të kenë reflektuar”, shprehet ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes beson se nuk ka arsye që emri i propozuar i kësaj partie për kryekuvendare, Albulena Haxhiu, të tërhiqet.

Kryeziu-Hyseni thotë se sot ose nesër do të takohet grupi parlamentar për të diskutuar se si do të veprojnë tutje.

“Sipas asaj që edhe thotë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ne do t’i rikthehemi procedurës nesër në Kuvend, deri më tani grupi parlamentar pritet të takohet ose sot më vonë ose nesër në mëngjes para seancës së Kuvendit në mënyrë që të flasim për atë se si do të veprojmë tutje… Unë personalisht mendoj se nuk ka arsye që të tërhiqet emri i Albulena Haxhiut vetëm pse kështu po kërkojnë partitë opozitare në Kuvend dhe mandej unë besoj se edhe nëse do ta ndryshonim emrin edhe për kandidatin e dytë që LVV do ta propozonte do të kishim ndonjë kritikë”, thotë ajo.

Të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive, i cili do të mbahet nesër, do të jenë edhe deputetët e dy partive tjera më të mëdha, PDK dhe LDK. Nga këto dy parti për KosovaPress kanë deklaruar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe si i tillë duhet të merret në konsideratë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blera Deliu-Kodra, thotë se të zgjedhurit e kësaj partie do të jenë të pranishëm nesër në seancë, duke bërë përpjekje për të dalë nga kriza politike. Për të, janë të pakuptimta dhe të rrezikshme për demokracinë linçimet që Lëvizja Vetëvendosje po i bën karshi Gjykatës Kushtetuese dhe aktgjykimit të nxjerrë.

“Natyrisht që është detyrim kushtetues që deputetët e zgjedhur të respektojnë, janë detyrime të prera që ne do t’i marrim në konsideratë…ne do të jemi në nivel të detyrës duke ardhur në Kuvend e duke bërë përpjekje serioze që të dalim nga kjo situatë e ngërçit politik… Janë të pakuptueshme dhe të rrezikshme për demokracinë sulmet me gur, linçimi dhe përpjekja që aktgjykim i gjykatës Kushtetuese të degradohet e të provohet të linçohet nga eksponent të Lëvizjes Vetëvendosje… Në seancat e para kur është vënë në votim emri i zonjës Haxhiu ne kemi votuar kundër, janë gjashtë seanca të cilat PDK me vullnetin e saj politikë, deputetët kanë votuar kundër zonjës Haxhiu ne nuk jemi bërë pjesë e votimit vetëm kur është provuar që të shkelet jo vetëm rregullat e Rregullores së Kuvendit, por është provuar të shkelet Kushtetuta e Kosovës pra duke imponuar një votim të cilin nuk kishte dakordësi”, tha ajo.

Se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lë fare hapësirë për keqinterpretim dhe i hap rrugë zhbllokimit të krizës politike në vend, e thonë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, për KosovaPress konfirmon se nesër do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.“Ne gjithherë kemi marr pjesë në votim, neve na është pamundësua votimi qysh është thënë edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese natyrisht që do të marrim pjesë…Kësaj radhe besoj nuk ka hapësirë ka qenë i qartë aktgjykimi i parë, por kësaj radhe nuk ka fare hapësirë për keqinterpretim nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje siç është bërë në rastin e parë konsiderojmë se është jashtëzakonisht i qartë kufizimi deri në 3 herë për të njëjtin kandidat shkon në funksion të de-bllokimit të situatës sepse Lëvizja Vetëvendosje në këtë rast po asnjë parti tjetër në të ardhmen nuk mund të bllokojë institucionet duke u lidhur për emrin e një kandidati, kështu që e kemi parë si të qartë dhe si një vendim i mirë“, u shpreh Bajrami.

KP ka tentuar të marrë edhe një qëndrim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Të hënën, Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për ngërçin politik në vend. Sipas këtij aktgjykimi, brenda 30 ditësh duhet të ndodhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe emri i kandidatit apo kandidates së propozuar për kryekuvendar nuk mund të votohet më shumë se tri herë.